Jasharaj-Kurtit: Kryeministër, kështu si po bërtet do të mbetesh krejt pa zë deri në gjysmë të fushatës

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj ka komentuar tonin e lartë të zërit në takimet elektorale të kryeministrit Albin Kurti. Jasharaj përmes një komunikate për media ka shkruar se njeriu bërtet shumë vetëm atëherë kur është i mllefosur e nervoz, shkruan lajmi.net. “Ti vazhdo me bërtimat, por…

Lajme

15/01/2025 13:44

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj ka komentuar tonin e lartë të zërit në takimet elektorale të kryeministrit Albin Kurti.

Jasharaj përmes një komunikate për media ka shkruar se njeriu bërtet shumë vetëm atëherë kur është i mllefosur e nervoz, shkruan lajmi.net.

“Ti vazhdo me bërtimat, por unë po ta kujtoj se po ta dëgjoje për këto katër vite të Qeverisjes zërin tonë , pra të punëtorëve arsimorë, të policëve, administratës, zjarrfikësve, pensionistëve dhe qytetarëve plot halle, atëherë do ta ruaje zërin tënd në fushatë sepse në mënyrë të qetë e pa nervozë do të numëroje plotësimin e kërkesave legjitime të punëtorëve në sektorin publik dhe do të flisje edhe për arritjet në gjithë sferat e jetës, por në mungesë të kësaj ti s’ke çka bën tjetër përveç se të bërtasish. Ti dhe Qeveria duke pasur qasje të gabuar e armiqësore ndaj gjithë atyre që nuk të duartrokitnin kot , le që nuk komunikove me përfaqësuesit e punëtorëve e pensionistëve , por , si për inat, veprove në të kundërtën a asaj që ata kërkonin me të drejtë”, ka shkruar Jasharaj.

Ai i ka propozuar Kurtit që së paku në dy apo tri takime elektorale ta zëvëndësojë dikush pasi që sipas tij do të “mbetet pa zë”.

“Ta kuptoj hallin se ndoshta edhe nuk ke kujt t’ia besosh këtë detyrë se ata ose do të mundohen të të kopjojnë e të bërtasin , ose të nisin e të këndojnë siç bëri ministrja Nagavci. Ajo, mbase duke u frikësuar se ministre nuk do të zgjidhet kurrë më, ka dashur të provojë se mos po merr popullaritet si këngëtare”, ka shtuar Jasharaj. /Lajmi.net/