Januzaj, mëso nga Messi

David Moyes ka kërkuar përkrahje më të madhe për Adnan Januzajn dhe i ka thënë tinejxherit të Manchester Unitedit të mësojë nga shembulli i Lionel Messit se si reagon pas “goditjeve poshtë e lartë”. Futbollisti i Fulhamit, Sascha Riether është akuzuar për sjellje të dhunshme nga Federata Angleze e Futbollit të hënën pas shkeljes ndaj…

Sport

04/11/2013 22:05

David Moyes ka kërkuar përkrahje më të madhe për Adnan Januzajn dhe i ka thënë tinejxherit të Manchester Unitedit të mësojë nga shembulli i Lionel Messit se si reagon pas “goditjeve poshtë e lartë”.

Futbollisti i Fulhamit, Sascha Riether është akuzuar për sjellje të dhunshme nga Federata Angleze e Futbollit të hënën pas shkeljes ndaj 18-vjeçarit kosovar gjatë duelit të së shtunës në Craven Cottage.

Mbrojtësi gjerman është futbollisti i parë që akuzohet pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Januzajt dhe Moyes brengoset për futbollistin e tij pasi në javët e kaluara, Morgan Schneiderlin dhe Jose Fonte nga Southampton, së bashku me Stephen Ireland dhe Wilson Palacios nga Stoke City u ndëshkuan pas ndërhyrjeve ndaj talentit kosovar, në javët e fundit.

Në paraqitjen e tij para medieve në prag të duelit me Real Sociedadin në Ligën e Kampionëve të martën, Moyes deklaroi: “E kam parë incidentin pas ndeshjes, pamja nga bankina e bëri të pamundur ta shihja, por duket një shkelje e keqe dhe e qëllimshme”.

“Ka përfunduar tani por mendoj se Adnani ka nevojë për përkrahje më të madhe ose do ta shohim duke u goditur poshtë e lartë. Mendoj se meriton përkrahje më të madhe se ajo që ka tani”, shtoi strategu skocez.  Moyes kërkon që Januzaj të përcjell shembullin e yllit të Barcelonës, Lionel Messi.

“Ne kemi biseduar me të rreth kësaj. Më duhet të them se ai goditet poshtë e lartë në stërvitje qdo ditë dhe i tejkalon ato. Ai mëson nga profesionistët me të cilët punon dhe luan së bashku. Duhet ta shikojë Lionel Messin, i cili është ndoshta futbollisti i cili pranon së më shumti goditje, ngrihet dhe vazhdon të shfaq magjinë e tij gjatë gjithë kohës. Nuk po e krahasoj Adnanin me Messin, andaj mos e thoni këtë, por po e përmendi mënyrën se si reagon Messi dhe shpresoj se ashtu do të bëjë edhe Adnani. Por, ai ka nevojë për përkrahje më të madhe. I takon gjyqtarëve të vendosin se çka është e drejtë”, përfundoi Moyes.

Januzaj pritet të debutojë në Ligën e Kampionëve në duelin kundër Sociedadit të martën, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në Premierligë dhe Capital One Cup.