Jahjaga priti një delegacion të komunitetit egjiptian

Presidentja Jahjaga priti sot në takim një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit egjiptian nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe nga diaspora, të udhëhequr nga deputeti i Kuvendit të Kosovës Veton Berisha, në shënim të ditës të komunitetit egjiptian në Kosovë.

Lajme

24/06/2015 16:50

Përfaqësuesi i komunitetit egjiptian Veton Berisha e njoftoi Presidenten Jahjaga me kushtet e jetës së qytetarëve të komunitetit egjiptian, ku vlerësoi mundësin që ka ky komunitet.

“Kosova është shembulli më i mirë në rajon për respektim e të drejtave dhe integrimin institucional dhe shoqëror të këtij komuniteti”, tha ai thuhet në një njoftim të zyrës së Presidencës.

Kurse, presidentja Jahjaga e vlerësoi integrimin e komunitetit egjiptian në jetën shoqërore të Kosovës, duke theksuar se Kosova është vend i  barabartë për të gjithë.

“Kosova është shtet i qytetarëve të barabartë dhe komuniteti egjiptian pa dallim, ndan të njëjtën perspektivë me të gjithë qytetarët e vendit”, ka thënë Jahjaga.

Presidentes Jahjaga ky delegacion i përfaqësuesve të komunitetit egjiptian i dorëzoi mirënjohje me të cilën vlerësohet përkrahja dhe angazhimi i saj për integrimin e plotë të komunitetit egjiptian në jetën shoqërore dhe institucionale të Kosovës.