Jahjaga nuk përzihet

Presidentja Atifete Jahjaga nuk ka në agjendë asnjë nismë për takim me liderët e partive politike, ndërkohë që analistët vlerësojnë se Kushtetuta ia mundëson asaj që të përfshihet në tejkalimin e ngërçit institucional, pasi ajo ka rol unifikues.

Lajme

26/08/2014 11:17

Ndonëse gëzon autoritetin e saj kushtetues, që të paktën të jap një kontribut duke mbledhur liderët e partive politike në ndonjë takim, për të tentuar të afrojë qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta, presidentja vazhdon të ketë qasje indiferente sa i përket kësaj cështje, shkruan Kosova Sot.

Arbër Vllahi, këshilltar i Presidentes, ka lënë të kuptohet se presidentja nuk e ka në plan që të ftojë liderët e partive politike në ndonjë takim, që ndoshta do të ishte i dobishëm në përafrimin e bashkëpunimit në mes subjekteve politike.

“Ngërcet politike zgjidhen me pjekurinë e politike të të gjitha subjekteve në Kosovë dhe kjo pjekuri është dëshmuar gjatë procesit zgjedhor, edhe atij komunal edhe në zgjedhjet e përgjithshme”, ka thënë Vllahiu.

“Presidentja do të pres përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, një institucion i pavarur dhe autonom i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve gjatë zgjedhjeve gjithëpërfshirëse të përgjithshme”, ka thënë ai.

Por Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se thirrja e liderëve partiakë në ndonjë takim varet nga vullneti i presidentes për të shfrytëzuar autoritetin e saj kushtetues dhe mbështetjen që ajo gëzon në këtë proces.

Ai ka thënë se mungesa e lidershipit, refuzimi dhe qasja indiferente e presidentes në vazhdimësi, mbi krizën politike, e bën të pamundur që ajo të ketë ndonjë rol në zgjidhjen e kësaj krize.

Edhe analisti Blerim Burjani, ka thënë se roli aktual i presidentes pritet të jetë më aktiv në kontributin e saj për zgjidhjen e ngërçit politik.