Jahjaga e njofton Conden për të arriturat e Kosovës

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka pritur sot në takim Raportuesin për Kosovë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Agustin Conde.

Lajme

06/10/2015 15:01

Jahjaga e ka njoftuar Conden për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, me theks të veçantë “përparimin e arritur dhe përkushtimin e institucioneve në realizimin me sukses të  reformave në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e Presidencës, transmeton lajmi.net.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për progresin e arritur në Kosovë në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut, të drejtat e komuniteteve, zhvillimin e përgjithshëm demokratik dhe sundimit të ligjit, me theks të veçantë në fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e bashkëveprimit të Kosovës me Këshillin e Evropës dhe avancimin sa më të shpejtë të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në fund të kumtesës./lajmi.net/