Jahjaga: Barrikadat nuk i kontribuojnë bashkëpunimit rajonal
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha teksa ishte pjesë e forumit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, se Kosova do të vazhdojë të jetë faktor i paqes dhe stabilitetit dhe promovuese e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Lajme
Duke falënderuar nikoqirin e këtij takimi, presidentin e Rumanisë, Traian Basescu dhe vendet fqinje për mbështetjen e Kosovës që ajo të jetë mysafire dhe pjesëmarrëse e këtij forumi, Jahjaga në fjalimin e saj foli për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.
Lexoni më poshtë pjesë nga deklaratat e presidentes Jahjaga gjatë këtij forumi:
“Është rast historik për ne që ta ndërmarrim këtë hap përpara. Është rast që ne kurrë më të mos i kthehemi tmerreve të së kaluarës”.
“Vendet kyçe të BE-së kanë parë ndryshimet historike të cilat ky union i ka bërë në anën tjetër të perdes së hekurt, dhe ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, e kuptojmë më së miri potencialin të cilin ky projekt e përmban për ndryshimin e vendeve tona dhe ndryshimin e drejtimit të historisë”.
“Duke u bazuar në këtë bashkëpunim të ardhshëm për një paqe dhe stabilitet të vazhdueshëm, ne, vendet e regjionit, e kemi kuptuar se duhet të punojmë së bashku. Ne kishim një të kaluar të rëndë, një të kaluar nga e cila mund të mos jemi këndellur plotësisht dhe pasojat e se cilës vazhdojmë t’i vuajmë, por jemi duke u bërë bashkë drejtë vizionit premtues për liri, paqe, stabilitet dhe prosperitet. Për të gjithë, për secilin qytetar, dhe si Presidente e Kosovës, jam e vendosur që këtë dedikim ta zbatoj në Kosovë”.
“Rruga jonë për në BE është e kushtëzuar me aftësinë tonë që të ndërtojmë marrëdhënie të mira ndër fqinjësore, të cilat nënkuptojnë respekt për vlerat e mbajtura nga shoqëritë tona dhe për integritetin e vendeve tona respektive. Marrëdhëniet e mira nuk ndërtohen vetëm me nënshkrime marrëveshjesh, por me implementimin e atyre marrëveshjeve. Jo nëpërmes barrikadave. Por nëpërmes dialogut kuptimplotë i cili do t’i largojë ato pengesa drejtë bashkëpunimit”.
“Si vendi më i ri në regjion, Republika e Kosovës i ka dhënë prioritet ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore. Për ne, ndërtimi i themeleve të qëndrueshme për partneritete nuk është vetëm vendosmëri politike por edhe e nevojshme nëse duam të lëvizim përpara drejtë përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë dhe të sigurojmë stabilitet në regjion”
“Ne kemi dëshmuar këtë vendosmëri në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, një nga ndërmarrjet më të vështira politike, që ka kërkuar një kurajo të madhe. Por ne e kemi bërë këtë sepse dëshirojmë të lëvizim përpara”.
“Jam e inkurajuar me ndryshimin të cilin e kemi parë në regjion dhe me mbështetjen që e kemi marrë nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka qëndruar pranë nesh duke na ofruar perspektiva të qarta, Kosovës dhe Serbisë, në rrugëtimet tona drejtë Bashkimit Evropian”.
“Procesi në të cilin jemi është i pakthyeshëm. Ne do të vazhdojmë të jemi faktor i paqes dhe stabilitetit dhe promovues të marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Kosova dhe institucionet e saj do t’i sjellin kësaj tavoline kontributin tonë, si të barabartë, drejtë përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe thellimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe lidhjeve ekonomike në mes të vendeve të regjionit”.
“Në vijim të kësaj, është thelbësore që bashkëpunimi jonë të jetë i gjithanshëm dhe përfshirës. Asnjë bashkëpunim në regjion nuk do të jetë i kompletuar pa pjesëmarrjen e Kosovës; asnjë politikë regjionale nuk do të jetë plotësisht e implementuar pa përfshirjen e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa anëtarësim të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Projekti i Bashkimit Evropian do të vazhdojë të jetë i vetmi opsion i pazëvendësueshëm i cili do të ketë ndikimin më të madh dhe rolin më pozitiv transformativ në ekonomitë tona të ndërvarura dhe në zhvillimin e shoqërive tona. Ne duhet ta çimentojmë paqen”, tha Jahjaga në përmbyllje të fjalimit të saj.