Jacobson: Besoj se zgjedhjet e 8 qershorit do të jenë më të mirat

Ambasadorja Treacy Ann Jacobson ka thënë se Ambasada e SHBA-ve nuk përkrah asnjë kandidatë apo parti, por përkrah procesin zgjedhor. Ajo ka thënë se zgjedhjet e 8 qershorit mund të jenë zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Kosovë, duke shtuar se mashtruesit e zgjedhjeve duhet ndëshkuar.

Lajme

15/05/2014 21:53

Ambasadorja e SHBA-ve, Treacy Ann Jacobson beson se zgjedhjet e 8 qershorit do të jenë zgjedhjet më të mira që janë mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Në një intervistë për RTK, Jacobson tha se në të gjitha zgjedhjet ka mashtrime, por duhet që të gjithë mashtruesit të ndiqen penalisht.

“Është hera e parë që Kosova do të mbajë zgjedhje të përgjithshme në tërë territorin e vet me ligjet e Kosovës dhe shpresoj që do të shohim zgjedhjet e përgjithshme më të mira ndonjëherë. Është e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen sipas standardeve të zgjedhjeve lokale të 2013-tës”.

“Shpresoj që të gjithë ta shohin se Kosova është serioze të mbajë zgjedhje të mira dhe t\’i ndjekë penalisht të gjithë mashtruesit. Suksesi i zgjedhjeve, transparenca është shumë më e rëndësishme sesa suksesi i ndonjë kandidati të caktuar. Do të jetë thelb i ndërkombëtarëve të punojnë që zgjedhjet të jenë të mira”.

Ambasadorja Jacobson tha qartë se SHBA-të nuk përkrahin asnjë kandidat të caktuar, andaj nëse dikush thotë se kanë mbështetjen e SHBA-së, kjo është një sajim.

“Ne kurrë nuk mbështesim asnjë kandidat të caktuar. Nëse dikush thotë se duhet të votoni për mua sepse ambasada amerikane më mbështet mua, duhet ta dini se kjo është e sajuar. Ne nuk mbështesim kandidatë të caktuar, por mbështesim një proces fer, ku vota e qytetarëve është e garantuar”.

Duke folur për mospranimin e pavarësisë nga të zgjedhurit serb në zgjedhjet lokale, Ambasadorja Jacobson tha se zgjedhjet parlamentare janë një formë e mirë që të gjithë të kenë zë në Parlamentin e Kosovës dhe se zgjedhjet mund të shihen si një hap drejt integrimit të të gjitha komuniteteve.

Ajo tha se kushdo që hyn në Parlament duhet të betohet në Kushtetutën e Kosovës.

“Në fund të fundit, çdo kandidat i suksesshëm duhet të vijë në Kuvend dhe ta japë betimin që i referohet Kushtetutës së Kosovës. Është shumë e qartë qëe zgjedhjet parlamentare janë të një shteti të pavarur. E kuptoj që ka njerëz nuk duan ta njohin pavarësinë, por nëse duan që të kenë një zë në parlament, ata duhet të garojnë në zgjedhjet që bëhen nga Republika e Kosovës”.

“Fakti se kemi pasur zgjedhje lokale dhe integrim të serbëve në Polici, mendoj se janë shenja të mira dhe një tregues se pakicat kanë zë këtu. Këtij procesi nuk mund t\’i japësh një afat kohor dhe një hap i rëndësishëm janë edhe zgjedhjet”.

Ambasadorja amerikane bëri të ditur se do të jenë 40 ekipe të vëzhguesve amerikanë dhe se ajo vet do të vëzhgojë procesin zgjedhor nga afër, në mënyrë që të garantohet vota e lirë e qytetarëve të Kosovës.