Jablloanoviq: Opozita nuk e ka me mua, ka qëllim destabilizimin e qeverisë
Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq ka folur sonte para protestës së nesërme kundër tij në Prishtinë. Ai ka thënë se si njëri dhe si ministër e ka pasur për detyrë që të reagojë për “sulmet e shqiptarëve ndaj serbëve në Gjakovë”.
Lajme
Jabllanoviq aso kohe i kishte quajtur egërsira nënat gjakovare të cilët nuk lejuan serbët që të hynin në kishën e Gjakovës për krishtlindjen ortodokse.
“E kam pasur për detyrë që t’i dënojë sulmet ndaj të gjithë qytetarëve të cilët në mënyrë paqësore dëshirojnë që ta realizojnë të drejtën e tyre”, ka thënë Jabllanoviq për televizionin Most, transmeton Indeksonline.
Ai ka theksuar se disa media e kanë keqinterpretuar qëllimisht deklaratën e tij dhe e kanë paraqitur të duket si fyerje për të gjithë qytetarët e Gjakovës.
“Protestat që po ndodhin dhe në të cilat unë përmendem, marrë në përgjithësi nuk janë drejtuar kundër meje, por janë për ta destabilizuar qeverinë”, ka thënë Jabllanoviq dhe ka shtuar se vlerëson se qeveria do ta tejkalojë këtë krizë.
Ai ka vlerësuar se nuk bëhet fjalë për krizën qeveritare, por për krizë të opozitës e cila sipas tij nuk ka mënyrë e as nuk është e aftë t’i kundërvihet Qeverisë me metoda tjetra, por e ka zgjedhur rrugën e rrugës dhe dhunës.