Ja sa furnizohen me ilaçe spitalet e Kosovës
Rtklive.com ka siguruar përqindjet e furnizimit me ilaçe dhe materiale shpenzuese për gjitha spitalet e Kosovës. Sa i përket furnizimit me ilaçe esenciale prinë Spitali i Mitrovicës që në tremujorin e parë të vitit është furnizuar me 86.7 përqind të ilaçeve derisa më së keqi qëndron QKUK që u furnizua me vetëm 60 përqind të ilaçeve esenciale
Lajme
Pak mbi mesataren është furnizimi me ilaçe në Spitalin e Prizrenit. Ministria e Shëndetësisë e cila menaxhon buxhetin për furnizim me ilaçe esenciale dhe materiale shpenzuese sipas një raporti ka arritur që me barna Spitalin e Prizrenit të furnizoj në sasi prej 63.7 përqind.
Por, kjo nuk është përqindja e nevojave që kanë qytetarët, por përqindja e listës së domosdoshme të ilëçeve për të cilat kanë nevojë pacientët. 56.5 përqind në këtë spital është përqindja e furnizimit me material medicinal.
Të dhënat janë konfirmuar nga Shpend Fazliu, zëdhënës i Shërbimit Klinik Spitalor Universitar të Kosovës, pjesë e të cilit janë gjitha spitalet e nivelit dytësor dhe tretësor në vend, raporton rtklive.com..
As spitali i Gjilanit, nuk mund të konsiderohet me “fat” në betejën për furnizim me ilaçet esenciale.
Sipas listës së prezantuar nga zyrtarë të SHSKUK-së, furnizimi me ilaçe për tre muajt e vitit në Gjilan është 71.3 përqind. Derisa, furnizimi me material mjekësor është 31.3 përqind.
Spitali i Mitrovicës prinë në listën e furnizimeve. Aty, sipas të dhënave të SHSKUK-së furnizimi me barna është 86.7 përqind. Por, situatë jo e mirë është sa i përket furnizimit me material shpenzues, që spitali gjatë tre muajve të parë të vitit e ka pasur në sasi prej vetëm 31.9 përqind.
Situatë pak a shumë e ngjashme me Mitrovicën është edhe në Vushtrri. Furnizimi me barna në këtë qytezë është 78.3 përqind derisa materialet medicinale i kanë në posedim në sasi prej 43.6 përqind.
Spitali i Ferizajit në tremujorin e parë ka pasur në disponon 60.9 përqind të barnave dhe 51 përqind të materialit medicinal.
Situatë më e balancuar sa i përket barnave dhe materialeve shpenzuese është në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Aty, furnizimi me barna është 60 përqind kurse me material medicinal 51 përqind.
Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, përmes zëdhënësit Fazliu ka informuar se furnizimi me barna dhe material shpenzues varet nga Ministria e Shëndetësisë, e cila menaxhon buxhetin për furnizim me barna dhe material shpenzues.
“Kërkesat nga barnatorja qendrore e SHSKUK- QKUK dërgohen me kohë tek zyrtarët përgjegjës në Ministri të Shëndetësisë”, ka thënë Fazliu.
Ai ka përmendur faktin se për tremujorin e parë, SHSKUK ka dërguar kërkesat sipas nevojave reale (100 për qind) mirëpo vonesat e furnizimit (liferimeve ) dhe mungesa e kontratave për disa produkte ka bërë që të mos ketë përsëri furnizim të kënaqshëm.
“Tani kemi dorëzuar kërkesat për furnizim për Tremujorin e dytë. Por kemi reviduar dukshëm planifikimet në mënyrë që ti përafrohemi buxhetit në dispozicion”, thonë ndër të tjera zyrtarët spitalorë.