Ja pse Rektori i UP-së e ndërpreu mbledhjen e senatit dje

Në një shkrim autorial , rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, shpjegon arsyen e ndërprerjes së mbledhjes së senatit.

Lajme

11/09/2015 17:59

Para gati katër muajsh ju drejtova publikut të gjerë me një shkrim ku e përshkrova në hollësi problemin e respektimit të kritereve akademike me rastin e avancimeve të stafit në Universitetin e Prishtinës. Në këtë shkrim theksova se të merituarit në Universitetin e Prishtinës nuk janë shumicë dhe ftova të gjithë kolegët të reflektojmë nëse i përmbushim kushtet minimale për të fituar një gradë më të lartë akademike nga ajo që mbajmë.

Kriteret minimale të Statutit që e kemi aprovuar vet janë shumë të qarta. Pretenduesi për profesor asistent duhet të mendojë nëse e ka një punim në revistë ndërkombëtare si autor kryesor; pretenduesi për profesor të asocuar përpos tjerash duhet t’i ketë tri punime në revista ndërkombëtare si autor kryesor, ndërsa para pretenduesit për profesor të rregullt shtrohen kërkesa akoma më komplekse – pesë punime në revista ndërkombëtare si autor kryesor.Kur thuhet “punime në revista ndërkombëtare”, bëhet fjalë për revista kredibile që nuk lënë asnjë vend për dyshime për vet vlerën e punimit, prandaj edhe kemi insistuar që këto të jenë revista të indeksuara në njërën nga bazat e njohura ndërkombëtarisht ose me recension të besueshëm ndërkombëtar.

Këto janë kritere të matshme dhe për të gjykuar për plotësimin e tyre nuk nevojitet ndonjë ekspertizë e veçantë, por vetëm një korrektësi elementare akademike nga ana e atij që e bën vlerësimin. Duket se edhe këtë herë kjo korrektësi, në masë të madhe, mungoi.Kjo shihet nga raportet e komisionevevlerësuese ku vërehet qartë tendenca që secilit t’i jepet drita e gjelbër për avancim, pavarësisht nëse i plotëson kushtet statutare ose jo. Komisioni për Mësim i Senatit bëri një punë të shkëlqyeshme, duke e analizuar secilin rast veç e veç dhe duke vënë në dukje në shumë raste interpretimet e gabuara të kritereve në raportet e komisioneve vlerësuese.

Po ashtu, Komisioni për Mësim sqaroi se“punime në revista ndërkombëtare” nuk janë prezantimet që bëhen në konferenca, sado të vlefshme qofshin ato, nuk janë as artikujt në gazeta ditore, sado me interes që mund të jenë për publikun, e as punimet që publikohen në revista vendore që nuk kanë asgjë ndërkombëtare në vete, përveç ndoshta emrit. Prandaj, publikimet e tilla nuk mund të merren si bazë për avancime siç propozohej në shumë raporte të komisioneve vlerësuese.

Për fat të keq, gjetjet e Komisionit për Studime u injoruan nga një numër i anëtarëve të Senatit, në tri mbledhje radhazi.Fillimisht, në shenjë revolte, u kërkua shkarkimi i anëtarëve të Komisionit.Pastaj, u shfaq qartë tendenca që vendimet të merren me “shumicë votash”, pavarësisht plotësimit të kritereve. Dhe kjo rezultoi me ndërprerjen e mbledhjeve nga ana ime, pasi unë nuk mund të lejoj që, me shumicë votash të merren vendime që nuk janë në përputhje me Statutin, duke vazhduar kështu avazin shumëvjeçar të avancimeve edhe të pamerituara.

Kam bërë përpjekje që kjo situatë të zhbllokohet duke propozuar që të shqyrtohen në Senat ato raste për të cilat nuk ka vërejtje, e të tilla janë me dhjetëra, por nuk kam gjetur mirëkuptimin e shumicës së anëtarëve të këtij organi. Përkundrazi është kërkuar, shprehimisht, që rastet të procedohen sipas radhitjes dhe më është bërë me dije se vendimet do të merren me “shumicë votash”.

Dje u bë përpjekja e katërt që të procedohet me shqyrtimin e aplikacioneve, por edhe kjo dështoi, si tri të tjera para saj. Me rastin e shqyrtimit të propozimit për avancim të një kolegu të nderuar, emri i të cilit u lakua pa nevojë dhe jashtë kontekstit në disa media, u dokumentua qartë se kandidati nuk i ka tri punime të nevojshme për avancim në thirrje, por vetëm dy. Atëherë, erdhi, në formë të “zgjidhjes solomonike”, kërkesa që punimi në një revistë vendore të një kolegji privat, e cila nuk ka asnjë peshë në publicistikën shkencore, të konsiderohet si ndërkombëtar, pasi revista në fjalë na e paskësh emrin “ndërkombëtare” dhe i paska përfshirë disa ndërkombëtarë në përbërje të redaksisë. Si mund të jetë një revistë e një kolegji privat që nuk ka asnjë lloj veprimtarie kërkimore-shkencore, pikë referimi për një Universitet që ka shumë probleme me cilësi, por, megjithatë, është institucioni më prestigjioz në Kosovë?

Si rektor që ka marrë obligime për t’i prirë procesit të përmirësimit të cilësisë, unë nuk mund e lejoj që ky lloj kontesti të zgjidhet me “shumicë votash”, pasi asnjë shumicë nuk mund të vendosë së një revistë vendore e një kolegji privat është revistë ndërkombëtare. Një “vendim” të tillë mund ta merr vetëm komuniteti shkencor ndërkombëtar, duke e përfshirë revistën në fjalë në bazat relevante të të dhënave dhe duke cituar punime prej saj, gjë që deri tani nuk ka ndodhur. Po të avancohej kolegu i nderuar mbi bazën e punimit nga kjo revistë vendore, atëherë do të vinin pas tij dhjetëra të tjerë që do të avancoheshin me punime nga po kjo revistë.

Ne e dimë ku e solli Universitetin trendi i avancimeve mbi bazën e publikimeve në revista që nuk e kanë kredibilitetin e duhur. U turpëruam një herë para gjithë botës dhe nuk do të duhej të na ndodhë përsëri diçka e tillë.
Unë nuk mund të kryesoj mbledhje ku “shumica” do të vendosë për avancimin e atyre që nuk i plotësojnë kushtet minimale për avancime, prandaj edhe e kam ndërprerë mbledhjen.

Më vjen keq që, për shkak të ndërprerjes së mbledhjes, nuk janë shqyrtuar disa kërkesa urgjente të studentëve, por askush nuk duhet të presë që të bëjmë shkelje sistematike në procesin e emërimit të stafit vetëm për të ardhur deri tek pika e rendit të ditës që ka të bëj me studentët. Gjatë ditëve në vijim, menaxhmenti i Universitetit do të bëj përpjekje që, në kuadër të autorizimeve të veta, t’i adresojë këto kërkesa, në mënyrë që viti i ri akademik të fillojë me kohë. /lajmi.net