Ja pse pushimet verore mund t’ju shpëtojnë jetën

Në përgjithësi, pushimet i bënin njerëzit të ndiheshin më pak të lodhur dhe më energjikë, e përmirësonin disponimin e tyre dhe i linin ata më të kënaqur me ditët e tyre. Mungesa e kërkesave të punës e largon stresin, por psikologët mendojnë se mund të ketë disa mënyra të tjera ku pushimet e përmirësojnë “mirëqenien” e njeriut.

Lifestyle

26/08/2021 16:45

Pushimet verore janë më shumë se sa zhytjet në pishinë, det,apo dremitje të gjata në shezllon (edhe pse këto janë të këndshme). Studime të shumta tregojnë se koha e kaluar larg punës së përditshme me të dashurit tuaj,i bën shumë mirë shëndetin tonë fizik dhe mendor, shkruan Bota.al.

Sigurisht, studiuesit nuk mund të shpjegojnë se si çdo detaj i pushimeve, mund ta ndryshojë mënyrën se si ndihen njerëzit kur rikthehen në punë, thotë Bruks Gamp, studiues i shëndetit publik në Universitetin e Sirakuzës, SHBA, transmeton lajmi.net.

“Cilësia e pushimeve, kohëzgjatja e tyre, vendi ku shkojnë dhe me kë shkojnë njerëzit, marrëdhënia që kanë me ta, që të gjitha ato janë të ndryshueshme”- thotë ai. Gjithsesi përfitimet nga pushimet janë të qarta, ashtu siç janë disa cilësi në vendin e punës që ka të ngjarë ta zbehin atë që njerëzit përfitojnë nga koha e tyre larg tij.

Kur studiuesit gjejnë dëshmi se pushimet e përmirësojnë cilësinë e jetës së njerëzve, ata shqyrtojnë shpesh “mirëqenien”, ose emocionet dhe nivelet e energjisë së njerëzve. Për shembull, në një studim që vlerësoi sesi një pushim dimëror 1-javor e ndryshonte jetën e njerëzve, studiuesit i pyetën pjesëmarrësit se sa mirë kishin fjetur një natë më parë, sa energjikë apo të lodhur ndiheshin, sa të emocionuar apo tëtë tensionuar, dhe se sa të kënaqur ishin se si kaloi dita.

Në përgjithësi, pushimet i bënin njerëzit të ndiheshin më pak të lodhur dhe më energjikë, e përmirësonin disponimin e tyre dhe i linin ata më të kënaqur me ditët e tyre. Mungesa e kërkesave të punës e largon stresin, por psikologët mendojnë se mund të ketë disa mënyra të tjera ku pushimet e përmirësojnë “mirëqenien” e njeriut.

Angazhimi në gjëra që na pëlqejnë, si sporti ose leximi i librave, nënkupton se vëmendja jonë është diku tjetër. Koha e kaluar larg tryezës së punës ndryshon gjithashtu edhe rutinat tona, dhe mund t’i ndihmojë njerëzit të heqin dorë nga zakonet e këqija, apo të kenë kthjelltësi mendore për aspektet e tjera të jetës së tyre.

“Prandaj një pushim mund të ndihmojë në ndërtimin e burimeve personale të qëndrueshme, të cilat mund të funksionojnë si mbrojtëse ndaj kërcënimeve të ardhshme”- shkruan Xhesika De Blum, një psikologe në Universitetin e Groningen dhe Universitetin e Tamperes, dhe kolegët e saj në studimin e tyre mbi pushimet dimërore.

Po ashtu hulumtimet sugjerojnë se përfitimet e kohës së kaluar larg zyrës së punës,shtrihen edhe tek shëndeti fizik. Në një sondazh ku u pyetën rreth 2.500 burra me rrezik të lartë për sëmundjet e zemrës mbi ngjarjet e fundit të jetës së tyre, një nga pyetjet e bëra ishte nëse ata kishin marrë pushime vitin e fundit.

Pjesëmarrësit iu nënshtruar këtij pyetësori për 5 vite rresht, dhe më pas studiuesit kontrolluan gjendjen e tyre 9 vjet më vonë. Ata që bënin pushime më të shpeshta vjetore kishin më pak gjasa të kishin vdekur (ose të kishin vdekur nga sëmundjet e zemrës) sesa ata që nuk kishin marrë pushime të tilla.

Çështja sesi pushimet mund ta zgjasin jetën tuaj, është ende një gjetje mjaft e hershme që kërkon më shumë hulumtime, thotë Gamp, që e kreu studimin me bashkautoren Karen Metjus. Dhe që një pushim të ndryshojë shëndetin e zemrës së dikujt, përfitimet e kohës së lirë duhet të zgjasin më shumë sesa vetëm ditët zyrtare jashtë zyrës së punës.

“Çfarëdo që të ndodhë gjatë pushimeve duhet që në thelb t’i kushtoni periodikisht vëmendje fizikut tuaj. Pra vetëm vrapimi për 2 javë nëpër qytet nuk do të ndryshojë në mënyrë domethënëse presionin e gjakut të dikujt”- thekson ai.

Në studimet e mëvonshme, ai dhe kolegët e tij gjetën dëshmi të mundshme se si pushimet mund të kenë një efekt të qëndrueshëm në mirëqenien e njeriut. Ndërsa gjurmonte shëndetin e punonjësve para dhe pas pushimit, ekipi zbuloi se sa më i stresuar të ishte dikush, aq më shumë rriteshin rrahjet e zemrës së tij kur koha e pushimit ishte shumë e largët në të ardhmen.

Fuqia që një vend pune kishte mbi pulsin e dikujt zbehej kur pushimet afroheshin. Nëse njerëzit mund të përgatiten mendërisht për ndodhjen e një gjëje të keqe dhe të ndiejnë një stres parashikues, atëherë ndoshta ne gjithashtu mund të përjetojmë relaksim parashikues, thotë Gamp.

Dhe megjithëse mund të pushojmë, mënyra se si ndërveprojmë dhe si ndihemi për vendet tona të punës na ndjek gjatë gjithë udhëtimit. Në studimin mbi mësuesit para, gjatë dhe pas një jave pushimi, studiuesit zbuluan se koha e lirë i bënte edukatorët më pak të dëshpëruar, më pak të shqetësuar dhe më pak të rënduar emocionalisht.

Se sa të shpërblyer ndihen njerëzit për punën që bëjnë, ndryshon edhe përvojën e tyre të kohës së lirë. Në javët para dhe pas pushimeve, Gamp dhe kolegët e tij pyetën pjesëmarrësit e studimit se sa të lumtur, të qetë ose energjikë ndiheshin, si dhe sa të dëshpëruar, të shqetësuar apo të zemëruar ishin.

Njerëzit që ndiheshin sikur ishin kompensuar në mënyrë të përshtatshme – jo financiarisht, por sa siguri ndjenin në punë, apo sasinë e shqetësimit apo kohës që kërkonin detyrat – përfitonin më pak nga pushimet që merrnin.

Ndërsa ata që ndienin më pak stres në punë përjetuan reduktim të ndjenjave të tyre negative si ankthi dhe zemërimi, ata që përballeshin me më shumë shqetësime pune ndjenin emocione kryesisht të njëjta para dhe pas pushimit. /Lajmi.net/