Ja përgjigja e Dukës për përsëritjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri?

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka folur për vendimin mundshëm që mund t’i marrë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Sport

20/04/2015 11:59

Armand Duka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) është i bindur se ndeshja Serbi-Shqipëri nuk do të përsëritet.

Ai thotë se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë ka një autoritet që njihet në mbarë botën dhe një vendim ndryshe nga dy shkallët e gjykuara më parë, pritet të merret para qershorit.

“Çdo vendim mund të ndodhi, por përsëritje ndeshjes nuk ka. Madje as ndarja e fajit në dyshë. Fajin e ka njëra palë. Nëse Serbia është përgjegjëse, këtë e vërteton edhe dënimi… nuk e ndërpremë ne lojën, e ndërpreu referi edhe nga vetë dëshmia e tij kjo rezulton… Ne duhet ta fitojmë, duhet ta fitojë futbolli dhe duhet të dënohen huliganët”,-deklaroi Duka mbrëmjen e së dielës në emisionin “Ora Skaner” në “Ora News”.

Duke folur për seancën gjyqësore që u zhvillua në Lozanë, Duka tha se fillimisht nga pala shqiptare dëshmoi kapiteni i skuadrës, Lorik Cana dhe më pas trajneri Gianni de Biasi e mbrojtësit ligjorë.

“Ka qenë një seancë e gjatë. Ka filluar në orën 8 të mëngjesit dhe ka përfunduar rreth orës 9 të darkës. Trupi i arbitrave përbëhej nga një italian, nga një gjerman dhe nga një anglez… ka qenë dëshmitar Cana dhe De Biasi”, tha Duka

Ne kemi pas palë kundërshtare UEFA-n. Fillimisht seanca filloi me dëshminë e Canës, më pas me De Biasin dhe në video konferencë ka qenë kapiteni i skuadrës serbe. Në rolin e dëshmitarit në sallë ka qenë edhe sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Serbisë. Ajo që dëshmoi kapiteni i skuadrës shqiptare ishte ajo që kemi thënë”, shtoi ai.

Kurse, Duka tha se gishti nuk duhet të drejtohet nga President i UEFA-së, Michel Platini për vendimin e marrë në dy shkallët e para. Sipas Dukës, kreu i UEFA-s ka ndihmuar Shqipërinë në shumë projekte sportive.

“Presidenti i UEFA-s e ka bërë mirë punën e tij. Shumë mendojnë se ai është fajtor, por raportet institucionale me presidentin, duhet të janë të mira. Ne mund të kujtojmë shumë gjëra të mira që futbolli shqiptar ka nga UEFA, qoftë edhe nën drejtimin e Michel Platini. Kemi bërë projekte më shumë se fqinjët tanë, edhe nga Serbia dhe ne duhet të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira”,-deklaroi Duka.

Ndërkaq, në dy vendimet e para të gjykuara në shkallët e UEFA-s, Shqipërisë i është dhënë humbje në tavolinë ndaj Serbisë në rezultatin 3-0 dhe FSHF-ja është gjobitur në shumë e 100 mijë eurove.

Po të njëjtën gjobë mori edhe federata serbe e futbollit, ndërkohë që tri pikët e marra ndaj Shqipërisë, iu hoqën për organizim të dobët të ndeshjes. Gjithashtu, skuadra serbe u dënua që dy ndeshje t’i zhvillojë pa praninë e tifozëve.