Izraeli dëbon Greta Thunbergun dhe 170 aktivistë të tjerë

Izraeli tha se ka dëbuar aktivisten Greta Thunberg dhe 170 aktivistë të tjerë që ishin pjesë e flotës që javën e kaluar ndaloi që të shkonin për në Gazë për të dërguar ndihma humanitare. Izraeli tha se aktivistët janë dëbuar për në Greqi dhe Sllovaki. Më herët, aktivistët nga Zvicra dhe Spanja që ishin pjesë…

Bota

06/10/2025 19:49

Izraeli tha se ka dëbuar aktivisten Greta Thunberg dhe 170 aktivistë të tjerë që ishin pjesë e flotës që javën e kaluar ndaloi që të shkonin për në Gazë për të dërguar ndihma humanitare.

Izraeli tha se aktivistët janë dëbuar për në Greqi dhe Sllovaki.

Më herët, aktivistët nga Zvicra dhe Spanja që ishin pjesë e flotës, thanë se iu nënshtruan kushteve çnjerëzore gjatë ndalimit nga forcat izraelite. Dëbimet e 6 tetorit bëjnë që numri i përgjithshëm i të dëbuarve të arrijë në 341. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të ndaluarve nga flota me shumë anije me ndihma është 479.Ministria e Jashtme e Izraelit lëshoi një deklaratë, së bashku me një fotografi të Thunbergut në aeroport, duke thënë se të drejtat ligjore të gjithë pjesëmarrësve janë respektuar dhe vetëm një aktivist ishte përfshirë në dhunë, duke pretenduar se kishte kafshuar një punonjëse shëndetësore në burgun Ketziot të Izraelit.

Izraeli tha se Thunberg, suedeze që kryesisht fokusohet në ndryshimet klimatike, ka hipur në një avion në bazën ajrore izraelite Ramon.

Të dëbuarit janë shtetas nga Greqia, Italia, Franca, Irlanda, Suedia, Polonia, Gjermania, Bullgaria, Lituania, Austria, Luksemburgu, Finlanda, Danimarka, Sllovakia, Zvicra, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara, tha Ministria e Jashtme izraelite.

Izraeli ka mohuar pretendimet e aktivistëve të ndaluar se ata ishin keqtrajtuar.
Dhjetëra anije me ndihma për Gazën u nis javën e kaluar, por u ndaluan nga forcat izraelite.

Flota Global Sumud, që transportonte ilaçe dhe ushqime për në Gazë, përbëhej nga më shumë se 40 anije civile dhe afër 500 ligjvënës, avokatë dhe aktivistë.

Flota Sumud ishte përpjekja më e madhe detare për të thyer bllokadën që Izraeli ka vendosur ndaj Gazës, ku po zhvillohet luftë për pothuajse dy vjet.

Izraeli nisi ofensivën ushtarake në Gazë më 7 tetor 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 67.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë./REL