Ivanoviq me një letër publike tregon arsyet e grevës
Oliver Ivanoviq sqaron se arsyeja që ai u fut në grevë është për të ngritur zërin, sipas tij, për padrejtësinë që po i bëhet.

Lajme
Në një letër dërguar të përditshmes serbe “Politika”, Ivanoviq ka thënë se ndjehet i pafajshëm dhe mohon akuzat për krime lufte.
“Nuk jam vetëvrasës, por megjithatë duhet të zgjodhi rrugën më të vështirë”, ishte mesazhi i Ivanoviqit që e ka dërguar nga burgu, transmeton lajmi.net.
Në letrën publike, të botuar sot, Ivanoviq thotë se ndjehen thellësisht i zhgënjyer me vendimin e trupit gjykues për t’ia vazhduar paraburgimin edhe për 2 muaj, duke e cilësuar këtë si një veprim të ndikuar politikisht.
“Deri më tani nga dëgjimi i dëshmitarëve, asnjëri nga ata nuk më fajson me krime për të cilat akuzohem. Në mënyrë absolute e kam respektuar çdo vendim të gjykatësit. Marr pjesë në çdo seancë. Korrigjoj përkthyesit zyrtarë, pasi që flas mirë shqip dhe anglisht dhe mendoj në ata fatkeq që nuk e kanë pasur këtë mundësi. Ka mundësi të shumta që përkthimi të jetë i gabueshëm, që mund të ndikojë edhe në vendimin përfundimtar”, ka thënë Ivanoviq, transmeton lajmi.net.
Ai dje kishte vendosur të nisë një grevë urie në burgun e Mitrovicës, atje edhe ku ai është duke u mbajtur, duke kërkuar kështu që t’i jepet mundësia për mbrojtje në liri.
Ivanoviq, së bashku me katër serbë të tjerë të Kosovës, akuzohen për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe ato të pasluftës në vitin 2000.