Iu premtonte mjete të punës nga Danimarka: Aktakuzë për mashtrim ndaj një gruaje në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë, kundër një personi të dyshuar për mashtrim. Bëhet fjalë për të të pandehurën A.G., për të cilën thuhet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka vënë në lajthitje persona të tjerë, “duke i nxitur të veprojnë, e të cilat veprime rezultojnë në…

Lajme

01/07/2025 14:58

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë, kundër një personi të dyshuar për mashtrim.

Bëhet fjalë për të të pandehurën A.G., për të cilën thuhet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka vënë në lajthitje persona të tjerë, “duke i nxitur të veprojnë, e të cilat veprime rezultojnë në dëm material të pasurisë për këtu të dëmtuarit Sh.D., D.H., J.H., Z.H., E.K., N.A., A.A., S.T., A.B., në atë mënyrë që e pandehura përmes takimeve që kishte pasur në fshatin Skivjan, ku e njëjta prezantohet si presidente e OJQ-së dhe gjatë këtyre takimeve e njëjta paraqet rrejshëm fakte se shteti i Danimarkës do të jep donacion mjete të punës [traktor dhe pajisje të tjera bujqësore] dhe se të njëjtit mund të jenë përfitues të këtyre donacioneve nëse paguajnë shumën nga 250 euro për person”.

Rasti ka ndodhur gjatë muajit gusht të vitit të kaluar, në fshatin Skivjan – Komuna e Gjakovës.

Sipas njoftimit, kjo shumë nga e pandehura është thënë se është e destinuar për transport, me të cilat veprime i tërheq të dëmtuarit që të paguajnë shuma të caktuara të parave në vlerë prej 250 euro, “shumë kjo e kërkuar nga e pandehura në mënyrë që të përfitojnë donacionet e premtuara, por që të njëjtat mjete bujqësore nuk sjellën ashtu siç ishin premtuar, me çka të dëmtuarve iu shkakton dëm material”.

Me këto veprime e pandehura A.G., ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurën ta shpallë fajtore dhe “të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”.