Ismail Kadare ia përmend Sabri Hamitit stilin e mjerueshëm dhe plagjiaturën
Një libër që është botuar kohëve të fundit ku Ismail Kadare rrëfen për “dosjen Bilal Xhaferi” shkrimtari më i famshëm shqiptar, merret edhe me akademikun Sabri Hamiti. Kadare thotë se Hamiti ka një stil të mjerueshëm ndërsa ia përmend atij edhe akuzat për plagjiaturë që sipas tij “është më e rënda që mund t’i bëhet një intelektuali”.

Lajme
Hamiti ndërkaq nuk ka pranuar të kundërpërgjigjet duke thënë se intervista e Kadaresë nuk ka nivel.
Ismail Kadare është përfshirë në një “zënkë intelektuale” me Sabri Hamitin. Në një intervistë të botuar në formë libri, Kadare ka përmendur akuzat për plagjiaturë që i janë bërë Hamitit ndërsa ka thënë se ka edhe një stil të mjerueshëm shkrimi.
Ndërsa, Hamiti ka refuzuar të përgjigjet për Gazetën Tribuna, duke thënë se intervista e shkrimtarit nuk ka nivel. “Sebepi” i këtij konflikti është refuzimi i Hamitit për të dhënë komente rreth vlerësimeve të Bilall Xhaferrit rreth librit të Kadresë “Dasma”.
Më poshtë mund të lexoni një pjesë nga intervista ku Kadare merret me Hamitin.
“Pa përmendur nivelin e mjerueshëm të stilit të S. Hamitit, siç janë përçartjet e mëposhtme që sjell dr. S. Bytyçi: ‘Kritika tematike diferencon terminologjinë e semantikës strukturale në ‘semat nukleare’ dhe ‘semat kontekstuale’ të temës. Atëherë vjen akti i ven-dosjes së temës në tekst duke përdorur intuitën fenomenologjike, me një analizë tekstuale nëpërmjet një udhe strukturale…’. Më falni për dhimbjen e kokës! S’do të doja që ky motiv të ishte pjesë e kësaj bisede, ndaj dhe s’kam dëshirë të zgjatem më tej”, përfundon Kadare.
Akademiku kosovar, i cili në vitin 1996 ka shkruar një monografi për Xhaferin “Poeti i nemun”, nuk dëshiron të përfshihet në një debat të tillë me Kadarenë. Ai thotë për gazetën se intervista e shkrimtarit shqiptar nuk përbën nivel dialogu, prandaj “Daja” siç i referohet ai Kadaresë në disa raste, konsideron se nuk ka asgjë tjetër, përveçse një përpjekje për ta ‘larë’ vetën.