Islandë-Shqipëri, ndeshje historike
Asistenti i Islandës, Heimir Hallgrimsson ka thënë se ndeshja kundër Shqipërisë është një përballje historike. Ai ka pranuar se nuk kishte ndodhur kurrë më parë që Islanda të jetë kaq pranë vendit të dytë – që siguron play-offin për kualifikim në Kampionatin botëror 2014 – ndaj edhe përballja ndaj kuqezinjve është konsideruar si një nga…
Sport
Asistenti i Islandës, Heimir Hallgrimsson ka thënë se ndeshja kundër Shqipërisë është një përballje historike.
Ai ka pranuar se nuk kishte ndodhur kurrë më parë që Islanda të jetë kaq pranë vendit të dytë – që siguron play-offin për kualifikim në Kampionatin botëror 2014 – ndaj edhe përballja ndaj kuqezinjve është konsideruar si një nga ato që nuk duhet humbur kurrë.
“Ne nuk kemi qenë asnjëherë kaq pranë vendit të dytë, ndaj ndeshja me Shqipërinë do të jetë historike. Pas barazimit që morëm në Zvicër, morali i skuadrës është më lart se kurrë më parë, ndaj kjo gjë duhet shfrytëzuar në maksimum. Uroj që të mos ketë asnjë vend bosh në stadium dhe të gjithë të vijnë për të përkrahur ekipin në një moment kaq të rëndësishëm për vijueshmërinë e kualifikimeve”, ka deklaruar Hallgrimsson për mediat islandeze.
“Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë me lojtarë që luajnë kryesisht në Europë dhe me një trajner, i cili vjen nga shkolla italiane, ndaj duhet pasur shumë kujdes. Kjo është një skuadër e fortë fizikisht dhe që luan mirë me topin”, ka thënë zëvendëstrajneri i Islandës.
Islandë – Shqipëri do të zhvillohet të martën nga ora 21:00. Të dy skuadrat kanë nga 10 pikë të tubuara, derisa synojnë vendin e dytë në Grupin E.