ISIS ka ekzekutuar 280 persona në qytetin antik Palmyra të Sirisë

Nga informacionet e siguruara nga aktivistët lokalë, pretendohet se ISIS ka ekzekutuar 280 persona në qytetin antik Palmyra (Tedmur), në Siri.

Bota

22/05/2015 23:57

Ömer Hamza, një nga aktivistët lokalë në Tedmur në një deklaratë për gazetarin e AA-së ka pretenduar se organizata terroriste ISIS në qendrën e qytetit Tedmur përpara syve të popullatës ka ekzekutuar 280 persona mes tyre “anëtarë të komitetit të mbrojtjes popullore që punojnë për regjimin dhe anëtarë të fisit Shaitat, si edhe ata që pretendohet që dëmtojnë popullin në qytet”.

Hamza gjithashtu ka pohuar se “ISIS, ka vendosur rregullat e tij në qytet, ku në orët e faljes mbyllen të gjitha dyqanet. Shitja dhe përdorimi i alkoolit dhe duhanit është e ndaluar në qytet. Militantët e organizatës kur morën nën kontroll qytetin ekzekutuan ata që pretendonin se dëmtonin popullin. ISIS para se të merrte nën kontroll Tedmurin kishte brenda tij qeliza të fjetura”.

Aktivisti lokal thekson se ekzekutimet janë kryer “me prerje kokash dhe pushkatime” dhe u shpreh se “Nuk e di nga frika apo nga shpëtimi i presioneve të regjimit, por mes ISIS dhe popullit është krijuar njëfarë lidhjeje. Femrat dalin jashtë shtëpive të mbuluara”.

Hamza i cili shprehet se ISIS ka marrë kontrollin e burgut qendror në qytetin antik Tedmur,  tha se “Organizata, nuk lejon takimin e të burgosurve me familjarët por i liron ato kundrejt pagesës. ISIS nëpërmjet Skype krijon kontakt me familjarët dhe realizojnë këtë marrëveshje”.

Ai thekson më tej se organizata terroriste ka sulmuar edhe aeroportin ushtarak T4 në Homs. “Militantët, kërkojnë një numër të madh personash të cilët punojnë akoma për regjimin, në momentin që i identifikon ato i ekzekuton”.

Hamza gjithashtu ka shtuar më tej se, para se ISIS të merrte nën kontroll burgun e Tedmur, forcat e regjimit ka transferuar afërsisht 1 mijë të burgosur, por nuk kanë arritur ti transferojnë të gjithë.