Ish-zv/ministri i Financave akuzon një spital privat për mashtrim

Gjatë ditës së djeshme, ish-zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka bërë të ditur se ai dhe familja e tij kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Lajme

08/04/2021 20:56

Ndërsa pas këtij rezultati, me rekomandim të mjekut, ai, bashkë me katër anëtarët e familjes së tij, dje ka bërë edhe rëntgenin e mushkërive në një spital privat në Prishtinë.

E pikërisht për këtë shërbim, ai ka shfaqur pakënaqësi.

Krasniqi thotë se spitali “Aloka”, ku edhe e kishin bërë rëntgenin, u kishte thënë se rezultatin do ta marrin pas dy orësh – por, pritja dyorëshe i rezultoi pritje njëditore.

“Spitali ALOKA, mashtrim i tmerrshëm me pacientë. Dje me kërkesë urgjente të mjekut, vet me 4 anëtarët e familjes, në ora 15:15 bëmë rëntgenin e mushkërive me qëllim që të kemi rezultatet e shpejta pasi dy nga anëtarët e familjes ishin në gjendje të rëndë shëndetësore. Na u tha se për dy orë do t’i keni rezultatet”, nis rrëfimin e tij, Krasniqi, teksa tregon se rezultatin e morën vetëm një ditë më pas.

Më tej, ai thotë se për të mos mjaftuar vonesa për rezultat, ndonëse rasti ishte urgjent, spitali të gjithëve u kishte dërguar raport të njëjtë mjekësor.

“Mjerisht dje, edhe pas thirrjes nuk pranuam rezultatet dhe sot pas disa thirrjeve, pasi dje dhe sot nuk i patëm raportet me ua tregu mjekut, me nervozë e për një minutë, diku pas orës 13:00, na dërguan raportet për të gjithë anëtarët e familjes, pa asnjë ndryshim”, potencon Krasniqi.

Për këtë arsye, ish-zëvendësministri vë në dyshim besueshmërinë ndaj këtyre rezultateve dhe ndaj spitalit në përgjithësi.

“A duhet besuar këtyre rezultateve që u prodhuan për 1 minutë, krejt identike, është pikëpyetje e madhe”, ka shkruar ai.

Krasniqi i ka bërë apel menaxhmentit të këtij spitali që të ndërruarin masa e të mos mashtrojnë pacientët.

“Mjerisht një rast i tillë sot nga një gazetar kuptova se nuk është i vetmi. Prandaj i bëj apel menaxhmentit të këtij Spitali që të ndërmarrin masa e mos të mashtrojnë pacientët në gjendje të vështirë shëndetësore e që mos t’i dëmtojnë edhe financiarisht sepse nuk ka kuptim një mashtrim i tillë me ndodhë”, ka përfunduar Krasniqi. /Lajmi.net/