​Ish-Sekretari i FFK-së rrëfen rrugëtimin e vështirë të Kosovës në futboll

Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në FIFA dhe UEFA ishte e gjatë, e ndërlikuar dhe e mbushur me sfida politike e institucionale. Në një intervistë për KosovaPress, ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka rrëfyer nga afër vështirësitë dhe strategjinë që përdori legjendari Fadil Vokrri për ta dërguar vendin drejt njohjes ndërkombëtare…

Sport

31/03/2026 16:42

Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në FIFA dhe UEFA ishte e gjatë, e ndërlikuar dhe e mbushur me sfida politike e institucionale. Në një intervistë për KosovaPress, ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka rrëfyer nga afër vështirësitë dhe strategjinë që përdori legjendari Fadil Vokrri për ta dërguar vendin drejt njohjes ndërkombëtare në futboll.

Salihu në rrëfimin e tij thekson se në fillimet e këtij rrugëtimi, Federata nuk kishte një strukturë të mirëfilltë profesionale. Sipas tij, mungesa e kapaciteteve profesionale dhe administrative e bënte edhe më të vështirë përballjen me kërkesat ligjore dhe procedurale të organizatave ndërkombëtare.

“Së pari nuk kemi pasur ndonjë ekip, e kemi pasur një administratë me dy tre presna që ndoshta as gjuhë të mirë nuk kanë ditur, as korrospondencë dhe është dashtë që të merrem po thuajse me gjithçka së bashku me Presidentin” – kujton ai.

Një nga sfidat kryesore ishte mungesa e përgjigjjeve nga UEFA shpjegon Salihu, duke nënvizuar se heshtja ishte një strategji për të shmangur implikimet formale.

“UEFA nuk na është përgjigjur në asnjë shkresë sepse edhe shkresa, përgjigjja në vete ka njëfarë efekti ligjor dhe e kanë ditur mirë” – tha Salihu.

Megjithatë, një kthesë e rëndësishme ndodhi në raport me FIFA-n. Sipas Salihut, takimi i parë me ish-presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, shënoi thyerjen e akullit. Ky takim i zhvilluar së bashku me Vokrrin, hapi rrugën për komunikim më të drejtpërdrejtë dhe më të hapur.

Më pas, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u organizua një takim mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Federatës Serbe të Futbollit. Në këtë takim u diskutua një dokument i rëndësishëm i nënshkruar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku theksohej se dy palët nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në rrugëtimin ndërkombëtar.

Salihu tregon se përveç pengesave ligjore, sfida ishte edhe politikeduke shtuar se kjo e bënte procesin edhe më kompleks.

“Kemi pasur përballë kundërshtarë i cili ka pasur prapa Rusinë, Kinën e disa shtete të fuqishme” – tha ai.

Pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, diplomacia, këmbëngulja dhe angazhimi i vazhdueshëm i Fadil Vokrrit dhe ekipit të tij arritën të bindin FIFA-n dhe më pas UEFA-n për pranimin e Kosovës.

“Prandaj ai rrugëtim ka qenë shumë i vështirë më pak fjalë” – përfundoi Salihu.

Ndeshja historike mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet sot më 31 mars, në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:45./kp

KosovaPress