Ish-presidentja Osmani: Beteja e Koshares ka lënë amanet ruajtjen e shtetit si sytë e ballit
Në 27-vjetorin e Betejës se Koshares, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se 9 prilli shënon një ndër ditët më historike që ka lënë gjurmë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ajo tha se në Koshare u bashkuan shqiptarët nga të gjitha trojet dhe luftuan për largimin e kufirit të padrejtë mes tyre duke rivendosur…
Lajme
Në 27-vjetorin e Betejës se Koshares, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se 9 prilli shënon një ndër ditët më historike që ka lënë gjurmë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ajo tha se në Koshare u bashkuan shqiptarët nga të gjitha trojet dhe luftuan për largimin e kufirit të padrejtë mes tyre duke rivendosur dinjitetin tonë kombëtar.
“Sot me 9 prill, Kosova shënon jo vetëm Ditën e Kushtetutës, por do të thoja po ashtu një prej ditëve më historike, që kanë lënë gjurmë për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë. Në Koshare u bënë bashkë shqiptarët nga të gjitha trojet. Djemtë e vajzat më të mirë të këtij vendi luftuan për ta larguar kufirin e padrejtë në mes të shqiptarëve dhe atë ditë jo vetëm që e hoqën kufirin fizik, por në të njëjtën kohë edhe rivendosën dinjitetin tonë kombëtar dhe shtetëror. Ushtria Çlirimtare e Kosovës këtu në Koshare, sikurse edhe në çdo cep të vendit tonë, dëshmoi se çmimi i lirisë është i lartë, por në të njëjtën kohë që është çmim që ia vlen të paguhet në mënyrë që gjeneratat e reja sot, nipat e mbesat e trimave e trimëreshave të Koshares që sot i takuam, të jetojnë me dinjitet, të jetojnë të lirë, të jetojnë në tokën e tyre, në tokën e të parëve të tyre, pa frikë dhe të barabartë me të gjithë të tjerët”, tha ajo.
Ish-presidentja Osmani shtoi se Beteja e Koshares ka lënë amanet ruajtjen e shtetit si sytë e ballit.
“Kosharja na ka lënë Kosovën amanet, na ka lënë shqiptarinë amanet dhe ne duhet sot ta ruajmë këtë amanet si sytë e ballit dhe të sigurohemi që Kosova ecën përpara, për hir të kujtimit që na lanë dëshmorët, që na lanë heronjtë dhe na lanë martirët e lirisë”, tha ajo.