Të Infektuar: 17.591

Të Shëruar: 14.979

Të Vdekur: 659

Ish-ministri Abdixhiku e sekretari u frikësuan të nënshkruajnë tenderin 14.4 milionë euro

10:44 | 18 Qershor 2020

Duke e shfrytëzuar kohën e pandemisë, që të mos bëhet shumë zhurmë, Organi Shqyrtues i Prokurimit ia bëri një favor ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

Më 18 mars të këtij viti, Paneli i OSHP-së vendosi që të hedhë poshtë të gjitha ankesat e kompanive për tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti  Prizren-Prevallë”. “Gjykata e tenderëve” e la në fuqi vendimin e ministrisë për dhënie të kontratës dhe e autorizoi që të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës për këtë tender.

Mirëpo, kanë kaluar tre muaj dhe autoritet e ministrisë nuk e kanë nënshkruar akoma këtë kontratë.

Kontratat me vlerë të madhe rëndom nënshkruhen nga përfaqësuesi i kompanisë, dhe tri autoritete më të larta të institucionit, ministri, sekretari dhe menaxheri i prokurimit. Lajmi.net ka mësuar se ish ministri, Lumir Abdixhiku dhe sekretari Izedin Bytyqi kanë hezituar që të nënshkruajnë këtë kontratë.

Ata nuk e kanë hedhur nënshkrimit e tyre në kontratë, ani pse OSHP-ja ka lejuar një gjet ë tillë, pasi për këtë tender janë duke u iniciuar hetime, dhe dyshimet janë se menaxherja e prokurimit, Valmira Bllaca dhe komisioni i vlerësimit kanë bërë dallavere gjatë vlerësimit të ofertave, dhe gjatë krejt këtij procesi të prokurimit, ku dyshohet se kanë favorizuar kompani të caktuara dhe kanë diskriminuar të tjerat.

“Ministria kishte rrëzuar një kompani shumë më të lirë e cila ishte e përgjegjshme, duke konsideruar se gjatë ankesës së saj, kompania kishte bërë ankesë të jashtë afatshme në e-prokurim. Ministrit dhe sekretarit u janë prezantuar fakte që janë marr nga Komisioni i Prokurimit Publik se ankesa ka qenë e afatshme. Duke parë që për ketë tender janë involvuar edhe organet e drejtësisë, ministri as sekretari nuk kanë guxuar ta nënshkruajnë”, ka bërë të ditur një burim brenda ministrisë për lajmi.net.

Tutje, ky burim ka theksuar se zyra e prokurimit të ministrisë ka tentuar që të nënshkruaj këtë kontratë edhe ditën që është shpërbërë qeveria. “Ditën që ka ra qeveria, prokurimi ua ka dërguar për nënshkrim kompanive këtë kontratë, por ata janë frikësuar që ta nënshkruaj”, tha ndër tjerash ky burim.

Lajmi.net disa ditë ka pritur që të marrë një përgjigje zyrtare nga ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, lidhur me mos nënshkrimin e kësaj kontrate, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Lajmi.net ka raportuar disa herë për këtë tender, për të cilin dyshimet janë se ka pasur shkelje të ligjit të Prokurimit kur janë rekomanduar për kontratë kompanitë fituese. Si dhe ka pasur shkelje kur është eliminuar një kompani tjetër.

Tenderi është i ndarë në dy pjesë (lot I dhe lot II).

Për pjesën e parë është shpallur fitues kompanitë  “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” në vlerë prej 7,849,716.18 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë 5 të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë 2A GROUP & 2T, me çmim prej 6,477,472.67 euro. Por, të gjitha këto kompani u shpallën të papërgjegjshme nga ministria.

Lot 2 të këtij tenderi e kanë fituar grupi i kompanive “PAPENBURG & ADRIANI”, me çmim prej 6,643,867.79 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë edhe dy të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, në vlerë prej 5,894,246.39 euro, ose 749,621.40 euro më pak sesa oferta fituese.

Ecuria e kundërligjshme

Ky tender ka qenë dy herë në OSHP.

Fillimisht në tetor të vitit 2019, ministria kishte shpallur fituesit e tenderit për pjesën e parë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” dhe për pjesën e dytë “Papenburg & Adriani”.

Pas shpalljes së rezultatit nga komisioni i vlerësimit, tek autoriteti kontraktues u patën ankuar shtatë kompani, duke pretenduar se janë eliminuar në kundërshtim me LPP-në dhe kërkesat e dosjes së tenderit, dhe duke pretenduar se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i kanë përmbushur kriteret, as teknike e as me ofertën më të lirë. Më pas, ministria kishte formuar komisionin vlerësues për rishqyrtimin e pretendimeve të kompanive. Pas rishqyrtimit të ankesave, ministria kishte hedhur poshtë ankesat e të gjitha kompanive dhe kishte lënë në fuqi vendimin e vetë për dhënie të kontratës. Më pas, kompanitë janë ankuar në OSHP. Paneli i OSHP-së vërtetoi se tenderi nuk është vlerësuar konform ligjit dhe rekomandoi MIA-në që ta kthejë në rivlerësim përsëri. OSHP-ja vërtetoi se për këtë prokurim ka ofertë më të lirë të përgjegjshme, duke aluduar në ofertën e kompanisë “Sallahu” për lot 2, e cila ishte më e lirë se oferta fituese për 749,621.40 euro. Por, në rivlerësim OSHP-ja urdhëroi që të kthente dhe pjesa e parë e tenderit, pasi edhe aty kishte shkelje.

Por, pas rivlerësimit u shpallën fitues përsëri kompanitë e njëjta. Tek autoriteti kontraktues u ankuan vetëm dy operatorë, konzerciumi “Sa-Sallahu & Groma Hold”, dhe “2A Group &2T”. Përsëri ministria e formoi një komision vlerësues për të shoshitur pretendimet ankimore. Ofertën e 2A Group &2T” përsëri e hodhi poshtë duke e vlerësuar si të pa përgjegjshme. Ndërsa, për ofertën e “Sa-Sallahu” tha se ishte ofertë e jashtëfatshme e ngarkuar me pretendime në KRPP, dhe nuk e mori në konsideratë.

Këto dy kompani përsëri u ankuan në OSHP. Ky institucion e autorizoi ekspertin e vetë për shoshitjen e provave. Eksperti e përpiloi raportin ku rekomandoi që lënda përsëri të kthehet në rivlerësim, ngase sipas tij, ministria e kishte shkelur ligjin kur kishte shpallur operatorët ekonomikë si të përgjegjshëm, ndërsa ofertën e kompanisë “Sa Sallahu” e kishte konsideruar si të afatshme. Lajmi.net kishte raportuar se KRPP-ja kishte dhënë një përgjigje në këtë çështje, ku kishte thënë se ankesa me pretendime ishte ngarkuar në e-prokurim brenda afatit ligjorë.

Megjithëkëtë, Paneli Shqyrtues kishte vendosur që të mblidhet në kohën kur ishin masat e rrepta të pandemisë, dhe më 18 mars kishte lëshuar vendim ku rekomandonte që të vazhdohet me nënshkrimin e kontratës me operatorët ekonomik që i rekomandonte ministria. Por, ish-ministri Lumir Abdixhiku kishte hezituar ta nënshkruaj kontratën. Mbetet të shihet nëse ministri i ri, i cili është nga po e njëjta parti e këtij të fundit (LDK), Arban Abrashi, do të këtë ‘guximin’ të nënshkruajë këtë kontratë.

Lajmi.net ka raportuar se për këtë tender, pasi ishin shpall fituesit nga MIT, dikush nga operatorët garues kishte dorëzuar kallëzim penal në policinë e krimeve ekonomike si dhe më pas padi në Gjykatën administrative. /M.B -Lajmi.net/