Ish i burgosuri politik tregon momentin e kidnapimit të Ukshin Hotit nga serbët në burg

Bislim Zogaj, ish i burgosur politik, ka rrëfyer për kidnapimin e veprimtarit të çështje kombëtare, Ukshin Hoti në burgun e Dubravës.

Lajme

19/05/2022 22:51

Zogaj tha se profesori Ukshin Hoti dihet se kur është zhdukur dhe se dihet personi përgjegjës që e ka marrë, prandaj, sipas Zogajt, ai do të duhej të deklarohej të paktën se deri ku e ka dërguar

Zogaj rrëfeu se me Ukshin Hotin fillimisht ishte takuar në burgun e Mitrovicës dhe më pas ishin transferuar në burgun e Dubravës, ku sic tha ai, aty kishte parë forcën e tij fizike e shpirtërore.

“Për fat të keq u takuam në burgun e Mitrovicës së Sremit e pastaj na kanë dërguar në Burgun e Nishit ku aty e pashë edhe qëndresën e profesorit Ukshin. Aty ka qenë një korridor në të dyja anët me gardian dhe të gjithë thirreshin me emër për të vazhduar tutje në dhomën e burgut, kurse për dallim prej të gjithëve që mbulonin kokën me duar ai ecte lirë pa u mbrojtur fare”, tha Zogaj në TëVë1.

Ish i burgosuri politik rrëfeu edhe situatën kur ishte kidnapuar veprimtari Hoti nga gardianët e burgut.

“Atë ditë ishte e diel dhe ne e dinim se ditën e shtunë dhe të diel asnjë i burgosur nuk lirohej, edhe kjo ishte befasi se pse bash ditën e diel. E kanë thirrur kemi vrapuar të gjithë me u përshëndet me të dhe ai na ka thënë: Burra s’kemi nevojë dorë më dorë me u përshëndet sepse shumë shpejt kemi me u pa në Kosovën e lirë”, shtoi ai.

Zogaj tha se të gjithë të burgosurit që dolën të përshëndeteshin më të e kanë parë Hotin vetëm derisa ai ka dalë te dera e burgut, çka ka ndodhë më pas askush nuk e di.

“Ne dimë vetëm deri sa ka dalë te dera më pas çka thuhet është vetëm hipotetike. E kanë marrë organet e burgut e kanë përcjellur deri te dera kush ka qenë përtej murit vetëm organet e burgut e dinë”, tha ish i burgosuri politik.