Ish-ambasadori: Brukseli dhe Washintgoni e dënuan Kosovën, Kurti ka guxim të thotë se kemi marrëdhënie të mira me SHBA-në

Ish-ambasadori Ylber Hysa vlerëson se pas publikimit të doktrinës së re të presidentit amerikan, Donald Trump, shumë liderë evropianë janë në siklet lidhur me raportet SHBA-Evropë. “Është interesante dhe e çuditshme të vështrohet një konstatim i tillë në një kohë kur e gjithë bota është duke diskutuar për një kurdisje të madhe gjeo-politike nëpër të…

Lajme

12/12/2025 18:25

Ish-ambasadori Ylber Hysa vlerëson se pas publikimit të doktrinës së re të presidentit amerikan, Donald Trump, shumë liderë evropianë janë në siklet lidhur me raportet SHBA-Evropë.

“Është interesante dhe e çuditshme të vështrohet një konstatim i tillë në një kohë kur e gjithë bota është duke diskutuar për një kurdisje të madhe gjeo-politike nëpër të cilën po kalon bota sidomos pas publikimit të doktrinës së re të presidentit Trump që ka shqetësuar dhe ka nxitur komente të shumta nëpër gjithë Evropën – dhe e tërë Evropa me alamet liderë disi po ka siklete të definoj raportet e saj të shkëlqyera me Amerikën”, u shpreh Hysa.

Hysa, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se sipas tij vetëm kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka guxim të thotë se ka marrëdhënie të shkëlqyera me Amerikën duke marrë parasysh situatën gjeo-politike.

“Duket që vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rajon së bashku me presidentin e Hungarisë, Orban, duket se e kanë këtë guxim dhe liri të thonë se marrëdhëniet e shteteve janë të mira dhe kjo nuk i shkon për dore as presidentit Vuciq që dikur investonte në pritjet e tij për nga një afinitet ideologjik me shpresën që Administratën Trump ta kishte sa më afër tij dhe ky konstatim duket i guximshëm por duke marrë parasysh që pikërisht kjo qeveri e bëri Kosovën që të ketë dy palë sanksione do të thotë se është e çuditshme pasi rrallë herë ka ndodhur që të ketë një unitet transatlantik i cili po vihet në dyshim sesa në rastin e Kosovës se edhe Brukseli dhe Washintgoni e dënoi Kosovën”, ka thënë Hysa.

Mes tjerash, Hysa thotë se edhe administrata e kaluar amerikane edhe kjo e tanishme e kanë quajtur si problematike bashkëpunimin me Kosovën në kohën e Kurtit si shumë problematik teksa e quajtën edhe pengues të shumë proceseve.