Irani pezullon tarifat për 60 ditë në Ngushticën e Hormuzit pas marrëveshjes me SHBA-në

Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, kanë nisur menjëherë masat për normalizimin dhe lehtësimin e qarkullimit detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më strategjike të transportit të naftës në botë. Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se për një periudhë 60-ditore anijet nuk do të ngarkohen me…

Bota

18/06/2026 22:20

Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, kanë nisur menjëherë masat për normalizimin dhe lehtësimin e qarkullimit detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më strategjike të transportit të naftës në botë.

Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se për një periudhë 60-ditore anijet nuk do të ngarkohen me tarifa aplikimi, pasi këto kosto do të mbulohen nga vetë shteti iranian, transmeton lajmi.net.

Në një deklaratë të publikuar në mediat iraniane, thuhet se Autoriteti i Menaxhimit të Rrugëve Ujore të Gjirit Persik (PGSA) do të jetë përgjegjës për organizimin dhe menaxhimin e trafikut nëpër këtë ngushticë strategjike.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare ka udhëzuar institucionin përgjegjës që të trajtojë me prioritet kërkesat për kalim dhe të sigurojë një proces sa më të shpejtë.

Po ashtu, në kuadër të marrëveshjes, Irani ka nisur edhe procesin e pastrimit të minave nga rruga ujore, me qëllim rritjen e sigurisë detare.

Në deklaratë theksohet se masat janë marrë për të garantuar kalim të sigurt dhe për të shmangur incidentet në det:

“Duke pasur parasysh kushtet e veçanta dhe praninë e rreziqeve të caktuara të sigurisë përgjatë rrugës së tranzitit, dhe për të siguruar kalim të sigurt dhe për të parandaluar incidentet detare, anijet duhet të kalojnë tranzit sipas rrugëve dhe orareve që u janë komunikuar atyre në mënyrë që kapaciteti i trafikut të rritet gradualisht”, thuhet në deklaratë./lajmi.net/