Irani: Nuk ka ushtarë në Siri

Irani i ka hedhur poshtë pohimet se ka trupa në Siri, por thotë se do ta shtoj intensitetin e mbështetjes ushtarake për regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, duke e shtuar numrin e këshilltarëve iranianë për luftimin e terrorizmit.

Bota

18/10/2015 10:38

Zëvendësministri i jashtëm i Iranit, Hossein Amir Abdollahian, tha mbrëmë vonë se nuk ka ushtarë iranianë në Siri, përkundër pohimeve të pardjeshme nga një zyrtar amerikan, se në Siri janë më tepër se 2 mijë luftëtarë nga Irani dhe disa vende të tjera të rajonit, në mbështetje të forcave të Assadit.

“Ne kemi këshilltarë ushtarakë në Irak dhe Siri, me kërkesë të qeverive të dy vendeve”, tha Abdollahian.

Irani është aleati kryesor i Assadit dhe i koordinon veprimet me ushtrinë e Sirisë dhe forcat ajrore të Rusisë, për të luftuar kundër trupave kryengritëse, që prej vitit 2011 luftojnë për përmbysjen e regjimit të Assadit.

Vlerësohet se 250 mijë njerëz janë vrarë në luftën civile në Siri dhe miliona të tjerë janë zhvendosur./REL