Irani mund të rinisë aktivitetet e plota bërthamore

Parlamenti i Iranit ka votuar për përshpejtimin e diskutimeve në lidhje me legjislacionin që do të kërkonte nga qeveria rifillimin e të gjitha aktiviteteve bërthamore, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione shtesë kundër Iranit.

Bota

03/02/2015 19:13

Projektligji thotë se në rast të sanksioneve të reja nga SHBA-të, Irani është i obliguar që menjëherë të rinisë aktivitetet bërthamore, të cilat janë ngrirë në këmbim të lehtësimit të përkohshëm të sanksioneve, ransmeton REL.

Një gjë e tillë ka qenë pjesë e një marrëveshje të përkohshme që është arritur në vitin 2013 në Gjenevë, midis Teheranit dhe fuqive botërore.

Pas mospërmbushjes së dy afateve, vitin e kaluar, fuqitë globale dhe Irani janë pajtuar që të punojnë për një marrëveshje kornizë deri në muajin mars dhe për një marrëveshje të plotë deri në fund të qershorit, e cila do të siguronte se Irani nuk është duke krijuar armë bërthamore.

Javën e kaluar, Komiteti bankar i SHBA-ve ka miratuar një projektligj për vendosjen e sanksione të reja kundër Iranit, nëse marrëveshja finale nuk arrihet deri më 30 qershor.