Irani do që t’i hiqen sanksionet ditën që nisë zbatimi i marrëveshjes

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, ka deklaruar se Irani do që t’i hiqen sanksionet ndërkombëtare që prej ditë kur të nisë së zbatuari marrëveshja përfundimtare që parasheh frenimin e programit bërthamor.

Bota

09/04/2015 12:21

Rouhani ka thënë se Irani do një marrëveshje përfituese për të gjitha palët e përfshira në bisedimet bërthamore, duke iu referuar negociatave midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore, që përfunduan javën e kaluar në Lozanë të Zvicrës.

Presidenti iranian i ka bërë këto komente të enjten, derisa Irani shënon Ditën Kombëtare të Teknologjisë Bërthamore, pasurimi me uranium i së cilës shihet si rrezik global nga fuqitë tjera bërthamore, Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.

Më 2 prill, palët kanë arritur marrëveshjen kornizë, ndërsa atë duhet ta finalizojnë deri më 30 qershor, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, që kanë udhëhequr bisedimet në Lozanë dhe kanë mirëpritur marrëveshjen,  kanë bërë të ditur se sanksionet kundër Iranit do të hiqen gradualisht.