Irakianët të bashkohen në luftën kundër ISIS-it
Presidenti amerikan, Barak Obama ka deklaruar se është jetike për irakianët që të bashkohen për të luftuar kryengritjen islamike që tani kërcënon pjesët veriore dhe perëndimore të vendit.

Bota
Presidenti Obama ka thënë se administrata e tij beson se qeveria e re që do të formohet në Bagdad duhet të punojë me shpejtësi për të bashkuar komunitetet e ndryshme të Irakut.
Ai u bëri thirrje atyre që po punojnë për formimin e qeverisë së re irakiane që të bashkohen në mënyrë paqësore rreth qëllimit për eliminimin e rrezikut nga militantët islamikë të ISIS-it, të cilët kanë pushtuar pjesën më të madhe të vendit dhe deri tani janë ndeshur me pak rezistencë.
Presidenti Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara kohët e fundit kanë kryer sulme ajrore në mbështetje të luftëtarëve kurdë dhe refugjatëve në Irakun verior, raporton VOA.
Obama tha se avionët amerikanë vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie për të sulmuar ekstremistët të cilët po përpiqen të krijojnë një kalifat në rajonin e madh që ata tani e kontrollojnë.
Ligjvënësi i Irakut Haider al-Abadi është emëruar për formimin e një qeverie të re në Bagdad.
Presidenti Obama tha se ai dhe nënpresidenti Joe Biden i kanë telefonuar mandatarin Abadi më parë gjatë ditës për t’i shprehur atij mbështetjen e tyre.
Presidenti i ri i Irakut, Fouad Massoum zgjodhi Abadin, nënkryetar i parlamentit, për të udhëhequr vendin e shkatërruar nga lufta.
Ai u emërua nga koalicioni kryesor shiit i Irakut, Aleanca Kombëtare, e cila refuzoi emërimin e Nuri al-Malikit për një mandat të tretë si kryeministër.
Deri tani kryeministri në largim al-Maliki ka sfiduar thirrjet e komunitetit suni, kurdëve dhe disa shiitëve të tjerë për t’i lënë vendin nje figure më pak polarizuese.