Irak: Numri i të vrarëve nga sulmi vetëvrasës arrin në 80 vetë

Nga një sulm vetëvrasës, për të cilin përgjegjësinë e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik, janë vrarë së paku 80 vetë, shumica prej tyre pelegrinë iranianë, kanë thënë zyrtarët irakianë.

Bota

25/11/2016 12:38

Sulmi ka ndodhur dje në qytetin e shenjtë shiit, Karbala, afro 100 kilometra në jug të kryeqytetit Bagdad.

Duke cituar burime policore dhe mjekësore, agjencia Reuters ka raportuar se numri i të vrarëve ka arrritur në afro 100 vetë.

Dhjetëra të tjerë janë plagosur nga ky sulm.

Pelegrinët iranianë ishin duke u kthyer nga një ceremoni me rastin e Arbainit në vendin Karbala.

Militantët e Shtetit Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm nëpërmjet një kumtesë në Internet, duke thënë se sulmin e kanë kryer luftëtarët e tyre irakianë.