IPK monitoroi manifestimin e “Vidovdanit”, nuk kanë identifikuar parregullsi apo sjellje të papërshtatshme nga policët
Inspektorati Policor i Kosovës, në përputhje me mandatin ligjor për mbikëqyrje të pavarur të veprimeve të Policisë së Kosovës, ka realizuar sot një operacion monitorues në dy lokacionet kryesore ku janë mbajtur aktivitetet e komunitetit serb me rastin e manifestimit të “Vidovdanit”, në Graçanicë dhe Gazimestan. Ekipet monitoruese të IPK-së kanë qenë të pranishme…

Lajme
Inspektorati Policor i Kosovës, në përputhje me mandatin ligjor për mbikëqyrje të pavarur të veprimeve të Policisë së Kosovës, ka realizuar sot një operacion monitorues në dy lokacionet kryesore ku janë mbajtur aktivitetet e komunitetit serb me rastin e manifestimit të “Vidovdanit”, në Graçanicë dhe Gazimestan.
Ekipet monitoruese të IPK-së kanë qenë të pranishme në terren që nga ora e hershme e mëngjesit dhe gjatë gjithë kohës kanë vëzhguar nga afër mënyrën e menaxhimit të rendit publik dhe zbatimin e planit operativ policor.
Gjatë monitorimit të zhvilluar në terren, IPK ka thënë se nuk ka identifikuar ndonjë parregullsi apo sjellje të papërshtatshme nga ana e zyrtarëve policorë.
“Sjellja e përgjithshme e zyrtarëve policorë dhe menaxhimi i situatës në përgjithësi janë vlerësuar si profesionale dhe në përputhje me standardet e sjelljes policore dhe të drejtave të njeriut. Në mënyrë të veçantë, IPK vlerëson si të mirë-strukturuar dhe të zbatuar në mënyrë efektive planin operativ të Policisë së Kosovës, i cili ka kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik gjatë gjithë manifestimit“, thuhet në komunikatën e IPK-së.
IPK ka thënë se do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj ligjor në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke monitoruar dhe hetuar çdo veprim të mundshëm të paligjshëm ose joprofesional të zyrtarëve policorë, në funksion të llogaridhënies, transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve në Republikën e Kosovës.