IPK jep rekomandime për dyshimet mbi “dallavere” për gradimin për rreshter, pret nga Drejtori që të ndërmarrë veprime

Muaj më parë në kuadër të Policisë së Kosovës ishte hapur konkursi për gradimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës në gradën e rreshterit. Policët të cilët kanë aplikuar për gradim janë në pritje për fazat e tjera testuese, anipse deri më tani ka përfunduar vetëm testimi me shkrim. Në këtë konkurs kanë marrë pjesë…

Lajme

08/07/2024 11:40

Muaj më parë në kuadër të Policisë së Kosovës ishte hapur konkursi për gradimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës në gradën e rreshterit.

Policët të cilët kanë aplikuar për gradim janë në pritje për fazat e tjera testuese, anipse deri më tani ka përfunduar vetëm testimi me shkrim.

Në këtë konkurs kanë marrë pjesë gjithsej 1 mijë e 749 zyrtarë. Nga ky numër i zyrtarëve policorë, 1 mijë e 481 e kanë kaluar testimin me shkrim.

Në kuadër të gradimit për rreshter, nga Policia e Kosovës ishte bërë e ditur se janë gjithsej 350 pozita të lira për gradën ‘Rreshter’.

“Bazuar në analizën dhe nevojat policore sipas strukturës organizative të PK-së, të bërë para fillimit të procesit janë mbi 350 pozita të lira për gradën rreshter”.

Edhe pse pritej që tashmë të vazhdohej me fazat e tjera të testimeve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Procesi i gradimit të zyrtarëve policorë në rreshter ka ngecur.

E gjithë kjo sepse procesi i testimit me shkrim është kritikuar se u ndërtua dhe u zhvillua mbi “dallavere” të shumta.

E pikërisht në lidhje me këtë, Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter”.

Sipas IPK-së, inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe është përqendruar në Departamentin e Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës (përfshirë edhe Drejtorinë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës), si dhe Komisionin e procesit të gradimit. Kërkesa për inspektim ka ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve mbi numrin e konsideruar të ankesave të drejtuara në IPK lidhur me rregullsinë e procesit të gradimit për rreshter.

“Qëllimi i inspektimit ka qenë të vlerësohet integriteti i procesit të gradimit dhe të hidhet dritë mbi rregullsinë e tij. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me identifikimin e pozitave të lira dhe analizën e nevojave për personel të graduar, respektimin e parimeve të trajtimit të barabartë të palëve, aplikimin dhe testimin, vendimmarrjen, transparencën, si dhe trajtimin e ankesave të palëve të pakënaqura”,thuhet në njoftim.

Tutje u tha se gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin ekzekutiv, drejtues dhe atë administrativ.

“IPK në kuadër të Raportit ka dhënë tetë (8) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e rishikimit të harmonizimit të bazës ligjore që rregullon procedurën e gradimit për zyrtarët policor me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, përfshirjen e plotë të kritereve të aplikimit në kuadër të shpalljeve të proceseve të gradimit, aplikimin e masave kufizuese të aplikimeve në sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore (PRIMS), respektimin e parimit të përfshirjes në panele vlerësuese edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike, përgatitjen më të mirë teknike të procesit të testimit me shkrim, etj”.

Inspektorati Policor i Kosovës ka deklaruar se pret nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo dobësie apo lëshimi në këtë proces të gradimit, duke e konsideruar Raportin e inspektimit si pasqyrues të gjetjeve që mund të kenë dëmtuar kredibilitetin e mbarëvajtjes së procesit në fjalë.

Ndryshe konkursi për gradën ‘Rreshter’ në kuadër të Policisë së Kosovës nuk ishte hapur për tetë vite.

Ky konkurs po kërkohet të anulohet dhe të nisin hetimet për të.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka kërkuar që Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të nisnin hetimet që të anulohet ky konkurs.

“Komisioni që e udhëheq konkursin konkret është dashur që t’i eliminojë të gjitha aplikacionet që nuk i kanë plotësuar kushtet për aplikim. Kushti për aplikim ka qenë dy vjet pune. Nëse ai nuk e ka edhe një ditë, ai duhet me u përjashtu nga e drejta për konkurrim. Për mua është edhe më shqetësues rasti që kanë dalë testet. Kjo është shumë shqetësuese. Kështu duhet IPK-ja së bashku me Prokurorinë të intervenojnë, të bëjnë hetime dhe të vërtetojnë faktin se nga dolën ato teste. Ku bash siç tha edhe zonja (gazetarja Doruntina Bylykbashi) kështu bash tek djemtë e komandantëve… Këtu ka vend për prokurorinë dhe IPK-në me kusht që të anulohet ky konkurs për shkak të shkeljeve esenciale me pranimin e aplikacioneve dhe me daljen e testeve tek kandidatët”, ka thënë Hasani në RTV Dukagjin.

Rrjedhjen testit e ka cilësuar si skandaloze Hasani, teksa ka ritheksuar se ky konkurs duhet të anulohet.

“Duhet të anulohet konkursi, sepse i ka dhënë mundësinë personave që nuk i kanë plotësuar kushtet, plus edhe më skandaloze dalja e testit, kështu të dyja bëjnë që IPK-ja dhe Prokuroria të anulojnë këtë konkurs dhe të bëjnë hetime sesi kanë dalë testet te kandidatët”, ka shtuar Hasani.

Edhe ish-nënkoloneli i Policisë, Refki Morina, ka kërkuar që IPK-ja të nis hetimet dhe të vërtetohen raportimet, që ky konkurs të rikthehet në pikën zero.

Testimi i 4 majit për gradimin e policëve të Kosovës nga “Polic i lartë” në “Rreshter” vazhdon të jetë ende i çakorduar pasi instancat të cilat do të marrin vendim për këtë konkurs nuk janë deklaruar ende se cili në fakt do të jetë vendimi final i tyre.

Konkursi që nuk u hap 8 vite duket se do të dalë edhe më problematik se që kishin mundur të imagjinonin zyrtarët policorë të Kosovës./Lajmi.net/

https://ipk.rks-gov.net/Medias/RAPORT%20I%20INSPEKTIMIT%20NR.%2002-2024%20-%20VLER%C3%8BSIMI%20I%20MENAXHIMIT%20T%C3%8B%20PROCESIT%20T%C3%8B%20GRADIMIT%20P%C3%8BR%20RRESHTE-0a2c762d-c6c7-497a-aedd-9b234fdee790.pdf