Iowa vlerëson partneritetin me FSK-në: Mbi 15 vjet bashkëpunim dhe stërvitje të përbashkëta

Gjatë fjalimit vjetor “Condition of the Guard 2026”, Gjeneral Major Stephen Osborn, Adjutant Gjeneral i IOWA, vlerësoi mysafirët e dalluar që përfaqësonin partneritetin e Gardës Kombëtare të IOWA me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Në këtë ngjarje u përmendën Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Komandant i FSK-së, Komandant Rreshter Major Bedri Zuka, udhëheqësi më i lartë…

Lajme

20/01/2026 18:26

Gjatë fjalimit vjetor “Condition of the Guard 2026”, Gjeneral Major Stephen Osborn, Adjutant Gjeneral i IOWA, vlerësoi mysafirët e dalluar që përfaqësonin partneritetin e Gardës Kombëtare të IOWA me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë ngjarje u përmendën Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Komandant i FSK-së, Komandant Rreshter Major Bedri Zuka, udhëheqësi më i lartë nënoficer, si dhe Drilon Zogaj, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Des Moines.

Në njoftimin e Gardës Kombëtare të IOWA u theksua se ky bashkëpunim ka ndërtuar ndër vite kapacitete dhe besueshmëri të ndërsjellë, duke nënvizuar se “partneriteti me FSK-në ka forcuar ndërveprimin dhe gatishmërinë e të dy forcave”.

Tutje u tha se, për më shumë se 15 vjet, ushtarët dhe aviatorët e IOWA kanë bashkëpunuar ngushtë me FSK-në për të rritur ndërveprimin dhe gatishmërinë operacionale. “Vetëm gjatë vitit 2025, partneriteti përfshiu 26 shkëmbime bilaterale me mbi 500 pjesëmarrës, në fusha si manovrat, mjekësia ushtarake, logjistika, mbrojtja kibernetike dhe zhvillimi profesional”, u tha në njoftim.

Si moment i rëndësishëm u veçua momenti kur FSK-ja bashkëngjiti një kompani këmbësorie në Brigadën e 2-të Luftarake të Divizionit të 34-të të Këmbësorisë së IOWA, gjatë rotacionit në “Joint Readiness Training Center”.

Ky hap, siç u theksua, “shënon pjesëmarrjen e parë të Kosovës në një mision stërvitor të përmasave të mëdha jashtë kufijve të saj”.

Po ashtu, në vitin 2025, Garda Kombëtare e IOWA tha se rekrutoi qytetarin e parë nga Kosova, Andren Gashi, i cili iu bashkua Krahut të 132-të të Gardës Ajrore të IOWA si pjesëtar i Forcave të Sigurisë.