Investitorë strategjikë nuk solli as Qeveria Kurti

Ligji për investime strategjike i aprovuar tri vjet më parë në kuvend nuk i solli vendit ende asnjë investitor strategjik deri tash, edhe pse ka pasur disa aplikacione për këtë status nga disa kompani vendore e të huaja.

Lajme

30/05/2020 09:43

Ndërsa, as në 100 ditët e Qeverisë Kurti nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion i kompanive për investitor strategjik.

Komuniteti i biznesit dhe kompanitë që synojnë të jenë investitorë strategjikë shprehen të shqetësuar me neglizhencën e institucioneve përkatëse dhe për keqtrajtim.

I habitur për mungesë të investimeve strategjike është shprehur edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i cili thotë për KosovaPress se në vazhdimësi disa kompani kanë shprehur shqetësimin e tyre për sa i përket statusit të investitorit strategjik, të cilët nuk po arrijnë të marrin as përgjigje për aplikacionet e tyre nga ministria përkatëse.

Drejtori Zeka po ashtu thotë se në qeverinë e kaluar kishte ndodhur aplikacioni i parë për statusin e investitorit strategjik, por ajo kompani që e ka dorëzuar aplikacionin e parë, ende nuk ka marrë përgjigje.

“Ne tashmë kemi ligjin për investime strategjike që është në fuqi prej vitit 2017, në të njëjtën kohë me qeverinë e kaluar u patë dorëzuar aplikacioni i parë për statusin e investitorit strategjik, si për ironi të fatit pikërisht ajo kompani që e ka dorëzuar aplikacionin e parë, ende nuk ka marrë përgjigje, ne kemi marrë vazhdimisht shqetësime nga ana e kompanive për sa i përket statusit të investitorit strategjik, një përgjigje të cilën do ta merrnim prej ministrisë përkatëse, për çka këto përgjigje kanë munguar”, deklaron Zeka.

Ai më tej pohon se është i vetëdijshëm për situatën e fundit me pandeminë në vend, megjithatë sipas Zekës ministritë përkatëse do të kishin mundur ta vazhdonin punën e tyre qoftë edhe për rishikimin e aplikacioneve që janë dorëzuar për gjatë kësaj periudhe.

“Në bilancin 100 ditor të kësaj qeverie natyrisht njëra prej pyetjeve që ne dhe të tjerët që mund ta parashtronim është pse nuk janë trajtuar aplikacionet e investitorëve strategjik për gjatë kësaj periudhe. Pse është zhvendosur i tërë fokusi, natyrisht ruaja e shëndetit publik ka qenë primare, por megjithatë ne kemi dikastere të ndryshme qeveritare dhe besojmë si Odë Amerikane që ministritë e caktuara do të kishin mundur ta vazhdonin punën e tyre, edhe këtu po i referohem edhe rishikimit të aplikacioneve që janë dorëzuar për status të investitorit strategjik, e për gjatë kësaj periudhe të vitit 2020 realisht nuk kemi parë asnjë përgjigje të vetme”, deklaron ai.

Për më shumë se dy javë, KosovaPress ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë dhe Investimeve Strategjike(MEPTINIS), por nuk janë përgjigjur për çështjen e mungesës apo trajtimit të aplikacioneve për investitor strategjik.

Një ndër kompanitë në vend është edhe “Kosmonte Foods”, që ka aplikuar për investitor strategjik në shkurt të vitit 2019 dhe nuk ka marrë ende një përgjigje nga MEPTINIS-i lidhur më këtë aplikacion.

Edon Bibaj avokat i kompanisë “Kosmonte Foods”, thotë për KosovaPress se kanë plotësuar të gjitha dokumentet në bazë të asaj që ka qenë kërkesë specifike nga Agjencia KIESA për t’u shpallur si investitor strategjik në Republikën e Kosovës, por sipas tij, kanë hasur në vështirësi procedurale në vazhdimësi.

Avokati Bibaj pohon se me hyrjen në fuqi të ligjit për investime strategjike, kompania “Kosmonte Foods” e kishte mirëpritur këtë ligj dhe ka besuar fuqishëm se do të jetë plotësisht i implementueshëm, duke u bazuar në të mirat që mund t’i gëzojnë qytetarët e këtij vendi, për një zhvillim më të madh ekonomik dhe rritje të punësimit.

“Ka kaluar mbi 1 vit që kur ka aplikuar “Kosmonte Foods” dhe ne ende nuk kemi marr përgjigje rreth kësaj çështje, ndërsa interesi i kompanisë për t’u zhvilluar, për t’i kryer investimet kapitale të cilat i ka planifikuar në shtetin e Republikës së Kosovës dhe si pasojë e mos marrjes së përgjigjes përfundimtare për t’u shpallur apo mos t’u shpallur si investitor strategjik, nuk ka mundur t’i realizoj këto investime….Gjithashtu tash janë edhe disa investime të reja të planifikuara me investitorë të huaj, kryesisht slloven dhe gjerman”, thotë Bibaj.

Avokati i kësaj kompanie ka shtuar se me realizmin e këtyre investimeve ishte planifikuar rritja e numrit të punëtorëve 600 deri 700, derisa aktualisht janë 280 të punësuar në këtë ndërmarrje.

“Kosmonte fuuds”, Bibaj tha se është një ndër kompanitë më të mëdha në vend, njëherësh një ndër tatimpaguesit më të mëdhenj, e që bashkëpunon me 99 përqind të kompanive më të mëdha evropiane, e për synim ka që me disa prej këtyre kompanive të jetë bashkë investitor në Republikën e Kosovës.

Kujtojmë se vite më parë kishte interesim nga kompanitë e sektorit të energjisë për t’u shpallur investitor strategjik.