Interpretimi i modernitetit për shqiptarët

13:32 | 15 Dhjetor 2018

Foto nga: Blerim Latifi

Ditë më parë, bibliotekës së vogël filozofike të Kosovës iu shtua një libër i ri. Autori është Astrit Salihu, ndërsa libri mban titullin “Lexim filozofik i arkitekturës”. Publikimi i këtij libri, përbën një ngjarje të pazakontë, për ambientin tonë social, kulturalisht dhe intelektualisht të varfër. Si e tillë, kjo ngjarje na shërben për ta mbajtur gjallë shpresën se edhe për ne, pra për shoqërinë tonë, qëndrojnë të hapura mundësitë që një ditë edhe ne të kemi një jetë kulturore dhe intelektuale që meriton të quhet e tillë.

Natyrisht, për këtë ngjarje shprese, duhet ta falënderojmë Astrit Salihun, i cili brenda një harku kohor prej dhjetë vitesh, i solli kulturës shqiptare dy vepra filozofike, të nivelit evropian. Vepra eparë është “Aporitë e Modernës- Kritika e rrëfimeve të mëdha”, ndërsa e dyta është vepra e sapo dalë, “Lexim filozofik i Arkitekturës”.

Të dy këto vepra, trajtojnë debatin kryesor të filozofisë shekullit XX, debatin mbi modernitetin, debat i cili, fatkeqësisht, ka qenë dhe vazhdon të mbetet gjerësisht i huaj për kulturën tonë.  Ky fakt duket se përbën brengën intelektuale, e cila qëndron në background-in e sipërmarrjes filozofike të Astrit Salihut.

Për mendimin tim, qëllimi i kësaj sipërmarrjeje, është që të vendosë logjistikën konceptuale të komunikimit tonë me arealin kulturor të botës perëndimore. Para këtyre dy veprave, Astriti ka botuar një libër esesh me titull “Postmoderna e interpretuar për shqiptarët”.

Sot, kur kemi përpara librin “Lexim filozofik i arkitekturës”, mendoj se është momenti që katër veprat filozofike të Astrit Salihut, t’i shohim në të vërtetën e tyre përbashkuese. Ato janë pjesë koherente të projektit filozofik të Salihut, projekt që për mendimin tim, emrin më adekuat duhet ta ketë “Interpretimi i modernitetit për shqiptarët”.

Me mënyrën se si i shtjellon çështjet, të cilat i merr në shqyrtim, me mënyrën se si i elaboron debatet e zhvilluara mes rrymave të arkitekturës moderne, siç janë funksionalizmi modernist, lëvizja organike në arkitekturë, postmodernizmi në arkitekturë, pastaj me zbërthimin e thuktë që i bën konceptimit filozofik të hapësirës nga Heidegger, Bachelard dhe Foucault, libri “Lexim filozofik i arkitekturës”, përbën një tekst unik, jo vetëm në literaturën shqipe.

Konsideroj se është unik edhe në një rrafsh më të gjerë, i cili, gjithsesi, i kapërcen vendet e rajonit. Është një tekst i nivelit akademik evropian, në të gjithë parametrat e tij.  Në këtë kontekst, duhet vendosur një analogji.

Është viti 1924. Në njërën anë, Shqipëria është shteti më i prapambetur i gjithë Evropës, por, në anën tjetër, në krye të qeverisë ka kryeministrin më të formuar kulturalisht e intelektualisht në Evropë: Fan Nolin.

Është viti 2018. Në njërën anë Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është kryeqyteti me kaosin më të tmerrshëm urbanistik në Evropë, me arkitekturën më brutale e më të shëmtuar në Evropë, ndërsa në anën tjetër ka Astrit Salihun, filozof i arkitekturës, i nivelit evropian.

Dy kohë të ndryshme, dy mendimtarë, dy konflikte mentale të filozofisë me qytetin, dy paradokse dhe një brengë e përbashkët: brenga për t’i rivendosur lidhjet e këputura më civilizimin perëndimor.

Siç e dimë, Noli nuk arriti t’i mbijetojë paradoksit të situatës së tij. Ai u detyrua të largohej përgjithmonë nga Shqipëria, duke shtuar me këtë edhe një rast më shumë në historinë e dështimeve të tundimit të Sirakuzës ( Sirakuza ishte qyteti ku Platoni deshi të implementoj projektin e shtetit të tij ideal, por nuk pati sukses. Ky dështim është rasti i parë në historinë e përpjekjeve të mendimtarëve për formësuar botën politike sipas idealeve të tyre etiko-politike).

Sot, ne, nuk duhet të lejojmë që këtë pasojë ta ketë edhe paradoksi i situatës së Astrit Salihut. Pra, Astrit Salihun, duhet ta mbajmë në Prishtinë. Kemi nevojë për të. Për leximin e teksteve të tij. Për rileximin e tyre. Kemi nevojë për mendimin filozofik të Astrit Salihut, në rrugën tonë të vështirë për t’u bërë ata që jemi, përtej aparencave kulturore e arkitektonike, të imponuara prej fatkeqësive historike.

Dhe, këtë mesazh duhet ta dëgjoj së pari Universiteti i Prishtinës që gjen para për të financuar botime katastrofale, deri edhe plagjiatura, e nuk gjen mundësi që ta botoj veprën e Astrit Salihut.

Duhet ta dëgjoj Akademia e Shkencave  e Kosovës që gjen gjysmë milioni euro për të botuar fjalorë enciklopedikë anakronik, e nuk gjen qindra herë më pak për ta botuar Astrit Salihun.

Duhet ta dëgjoj Ministria e Kulturës e cila çdo vit në Bienalen e Venecias dërgon zyrtarë të korruptuar të institucioneve kulturore, e nuk gjen mundësi që në të tilla evente kulturore ndërkombëtarë ta artikuloj zërin e Kosovës me njerëz si Astrit Salihu.

Duhet ta dëgjojë edhe shumë kush tjetër, por të mos ju mërzis më shumë, duke vazhduar me këto nota pesimizmi, edhe pse prej ne filozofëve është e natyrshme të priten pesimizmi dhe nihilizmi, të cilët, siç thotë një mendimtar, janë optimizëm me informacion shtesë…

Astrit, të faleminderit!