Instituti “Musine Kokalari” kërkon përgjegjësi institucionale dhe hetim profesional për rastin e Agon Zejnullahut
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit që humbi jetën gjatë ndërhyrjes së policisë në Lipjan. Në një reagim publik, Instituti kërkon një hetim urgjent, profesional dhe transparent, si dhe marrje të përgjegjësisë institucionale për këtë ngjarje tragjike. “Kjo ngjarje tragjike…

Lajme
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit që humbi jetën gjatë ndërhyrjes së policisë në Lipjan.
Në një reagim publik, Instituti kërkon një hetim urgjent, profesional dhe transparent, si dhe marrje të përgjegjësisë institucionale për këtë ngjarje tragjike.
“Kjo ngjarje tragjike nuk mund të përfundojë vetëm me suspendimin dhe arrestimin e zyrtarëve policorë. Nuk mund të përkufizohet vetëm si çështje disiplinore dhe penale. Tragjedia e Lipjanit nuk duhet trajtuar si një rast i izoluar. Është edhe reflektim dhe sinjalizim i një simptome shqetësuese të policimit të shtetit”, thuhet në njoftim.
Instituti thekson se kjo ngjarje është produkt i trimërimit të mendësisë së legjitimimit të dhunës në emër të sigurisë publike dhe, në anën tjetër, të një aparati të sigurisë i cili ka prirje të përdoret, çdo herë e më shumë, me metoda arbitrare, pa kontroll efektiv civil dhe pa transparencë të plotë publike
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” fton institucionet e Kosovës që të ndërmarrin sa më parë vendime dhe veprime për ta mbajtur policinë në shërbim të qytetarit, demokracisë publike dhe sidomos dinjitetit njerëzor, si hallkë themelore të kontratës sociale midis individit dhe shtetit.
Sipas Institutit, janë të domosdoshme hetim i plotë, i pavarur dhe transparent dhe llogaridhënie institucionale
“Kërkojmë drejtësi për Agon Zejnullahun, sepse pa drejtësi nuk mund të ketë paqe shoqërore dhe siguri publike,” përfundon njoftimi.