Institucionet nuk sjellin investitorë për ikonën e Prishtinës

Dikur ishte ikona e qytetit të Prishtinës dhe frekuentohej prej autoriteteve më të larta të ish–Jugosllavisë. Tash, Hoteli Grand është shndërruar që disa vite në një objekt për shumë biznese.

Lajme

21/04/2019 13:46

Paqartësitë rreth Hotelit Grand në Prishtinë po vazhdojnë edhe pas më shumë se  12 vjetësh që kur se ai ishte privatizuar, si pjesë e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës.

Akoma nuk dihet se kur do të mund t’i kthehet nami ikonës së kryeqytetit. Kjo pasi institucionet përgjegjëse për të sjellë investitorë në Kosovë nuk flasin për këtë punë, shkruan lajmi.net.

Hoteli Grand është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Agjencia po konsideron që ai mund të trajtohet sipas Ligjit për Investime Strategjike. Andaj, sipas AKP-së janë institucionet qendrore ato që duhet të sjellin investitorë për hotelin.

“Ndërmarrja Hoteli Grand është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Agjencia e ka hartuar një listë të ndërmarrjeve që kanë potenciale për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe që mund të trajtohet sipas Ligjit për Investime Strategjike. Këtë listë të ndërmarrjeve, në mesin e të cilave është edhe Hoteli Grand, me dokumente përcjellëse, Agjencia e ka dërguar tashmë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërsa për informata të tjera në lidhje me interesimet për investime strategjike në vendin tonë përmes Ligjit për Investime Startegjike duhet kontaktuar me Ministrinë përkatëse, atë të Diasporës dhe Investimeve Strategjike”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për informim të AKP-së për lajmi.net.

Në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike kanë thënë së me këtë punë merret Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike nuk ka pranuar asnjë ofertë  për hotelin “Grand”. Lidhur me këtë dhe për të tjera oferta, ju lutem drejtojuni Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë-KIESA-s”, tha për lajmi.net Sabrie Grainca,  udhëheqëse e divizionit të Komunikimit me Publikun në Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Lajmi.net ka pritur disa ditë, por nuk ka marrë përgjigje nga MTI-ja.

Para 12 viteve Hoteli ishte shitur për 8 milionë euro me kusht që aty të investohen rreth 20 milionë euro, por për shkak të mospërmbushjes së obligimeve, ai iu mor privatizuesit.

Por, mosrealizimi i zotimeve nga ana e blerësit thuhet se bëri që kjo ndërmarrje shoqërore të hynte në paqartësi në mes blerësit të Hotelit Grand, Zylqif Berisha pronar i kompanisë NTP ‘Unio Commerce’ dhe AKP-së.

Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2012 tërhoqi aksionet në ndërmarrjen e re Grand Hotel dhe ktheu këtë ndërmarrje nën administrimin e vet.

Grand Hotel, sipas AKP-së, në vitin 2012 ishte trashëguar nga ish-blerësi në kushte jo të mira infrastrukturore dhe financiare.

Por, ky hotel, krahasuar me të kaluarën është pothuajse jashtë veprimtarisë për të cilën ishte destinuar në kohën kur u ndërtua 40 vjet më parë, në vitin 1978.

Aktualisht, në hapësirat e Hotelit Grand operojnë biznese të ndryshme, duke filluar nga shtëpi mediale, zyra për shërbime të ndryshme ligjore, të kontabilitetit, organizata të huaja, aparate bankare, hapësira reklamuese, lojëra të fatit e shërbime medicinale.

Nga rreth 800 punëtorë sa numëronte Hoteli Grand në fillim të veprimtarisë së tij, aktualisht ka vetëm 80 punëtorë.

Grand Hotel ishte inauguruar më 25 prill të vitit 1978. Ai ka një sipërfaqe nga përafërsisht 32.000 m2. Hoteli ka 202 dhoma me një shtrat, 142 dhoma me dy shtretër, 9 dhoma me tre shtretër, 9 apartamente dhe 2 rezidenca.

Hoteli është i pajisur me objekte tjera: restaurant, tavernë, kafe bar, bar i natës si dhe salla për konferenca.

Behgjet Pacolli ka vite që e llogarit si pronë të tij “Hotel Grand”-in, ani pse Gjykatat e vendit nuk e njohin si blerës. /Lajmi.net/