Inspektorati policor me sy nga Policia, brenda gjashtë muajve u arrestuan 8 policë dhe u suspenduan 38

Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në fshatin Dubravë të Istogut ku një zyrtar policor ka shtënë me armë zjarri, me ç’rast një 16 vjeçar u plagos rëndë. Sipas informatave të para zyrtari policor i sapodiplomuar në kuadër të Policisë së Kosovës ka plagosur të miturin i cili është edhe familjar i tij. Në bazë…

Lajme

17/07/2024 21:38

Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në fshatin Dubravë të Istogut ku një zyrtar policor ka shtënë me armë zjarri, me ç’rast një 16 vjeçar u plagos rëndë.

Sipas informatave të para zyrtari policor i sapodiplomuar në kuadër të Policisë së Kosovës ka plagosur të miturin i cili është edhe familjar i tij.

Në bazë të dosjes së Prokurorisë në Pejë thuhet se rasti ka ndodhur në shtëpi derisa i lartcekuri po hiqte nga karikatori plumbat e armës zyrtare.

I plagosuri nga ky rast vazhdon të trajtohet në QKUK derisa gjendja e tij raportohet të jetë ende e rëndë. Plaga që mori ky i fundit theksohet të ketë qenë në pjesën e kokës.

E të shtënat me armë që çuan në plagosje e deri tek vrasja nuk janë rastet e para nga zyrtarët policorë. Raste të ngjashme pati edhe më parë, e siç duket po vazhdojnë të ndodhin me të njëjtin avaz.

Përdorimi i armës zyrtare dhe rrezikimi i vetes dhe personave të tjerë është një ndër veprat me të cilat ngarkohen zyrtarët policorë.

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar Inspektoratin Policor të Kosovës nga ku është theksuar se vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti IPK ka pranuar 941 ankesa ndaj zyrtarëve policorë.

Ky institucion gjatë këtij viti 611 ankesa i ka klasifikuar si shkelje disiplinore ndërsa 322 janë përcjellë në departamentin e hetimeve me dyshimin për veprimtari penale.

Sipas IPK-së gjatë periudhës gjashtë mujore, janë hetuar 77 persona, ku prej tyre 68 kanë qenë punonjës policor dhe 9 qytetarë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari penale.

“Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.IPK gjatë vitit periudhës janar qershor 2024 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 941ankesa. Prej tyre 611 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës, 322 nga to janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK më dyshimin për veprimtari penale (pjesa tjetër janë përcjellë në institucione tjera dhe në Departamentin e Inspektimeve)”,thuhet në përgjigjen e inspektoratit.

Ndër të tjera nga IPK-ja u tha se gjatë kësaj kohe në bashkëpunim me Policinë dhe organet tjera ligj zbatuese, kanë arrestuar nëntë persona ( tetë punonjës të Policisë dhe një qytetar).

Ndërsa gjatë gjashtë mujorshit të parë është kërkuar suspendimi i 39 punonjësve policor dhe transferimi i tre punonjësve policor.

“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës të Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet tjera ligj zbatuese, ka arrestuar 9 persona (8 punonjës të Policisë së Kosovës dhe 1 qytetar) nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale, ndërsa në vazhdën e veprimeve hetimore bazuar në dispozitat e parapara të ligjit nr. 03/L-231, për interes të hetimit kemi rekomanduar suspendimin e 39 punonjësve policor dhe transferimin e 3 punonjësve policor”, theksohet tutje nga IPK.

Ndërkohë sipas statistikave vetëm nga periudha 01.01.2024-30.06.2024 janë arrestuar tetë zyrtarë policor, janë suspenduar 38 zyrtarë policor ndërsa janë transferuar tre të tjerë.

“Për periudhën  01.01.2024 – 30.06.2024, ndaj zyrtarëve policor në Prokurorinë e Shtetit IPK ka parashtruar 31 raste me Kallëzim Penal, 14 raste me Raport të Veçantë dhe 1 raste me Raport Informues. Ndërsa 15 raste janë në proces të hetimit penal.”

Kësisoj Policia e Kosovës po vazhdon që shpesh herë të përballen me raste të cilat “lëkundin” besueshmërinë e qytetarëve në këtë institucion.

Raste të ngjashme të përdorimit të armës zyrtare që çojnë deri tek plagosja dhe vrasjet bëjnë që të vihen në pikëpyetje shumë arritje të Policisë deri më sot./Lajmi.net/