Inspeksioni i çon partitë te përmbaruesi, s’i paguan gjobat për shkeljen e masave anti-Covid në fushatë

Partitë politike gjatë fushatës zgjedhore kishin shkelur masat kryesore kundër pandemisë COVID-19. Pa maska e pa distancë fizike, secila nga to kishte mbledhur më shumë se 30 veta sa ishte e lejuar, nëpër tubime elektorale. E për këtë, Inspeksioni i Komunës së Prishtinës kishte shqiptuar gjoba për tubimet elektorale që mbaheshin në kryeqytet.

Lajme

08/04/2021 17:51

Turma njerëzish duke dëgjuar premtimet e fushatës zgjedhore shiheshin në çdo cep të Kosovës gjatë muajve janar dhe shkurt.

Politikanët e të gjitha partive, ishin prezentë në fshatra e qytete për të kërkuar votën e qytetarëve. Ata madje futeshin edhe nëpër odat e qytetarëve, për të bashkëbiseduar rreth halleve të tyre.

Kështu, ata po shkelnin çdo masë kundër koronavirusit, që ishte në fuqi. Por, tubimet e partive që u mbajtën në kryeqytet, nuk mbetën pa u dënuar.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Inspeksioni i Prishtinës kishte shqiptuar gjoba ndaj partive që mblidhnin qytetarët në kryeqytet duke mos respektuar masat anti-Covid, e dënimi për një tubim ishte 2 mijë euro.

Gjatë fushatës u shqiptuan gjithsej 20 dënime nga Inspeksioni për partitë.

Ndaj Lëvizjes Vetëvendosje u shqiptuan 7 gjoba, ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës 5 gjoba, ndaj Partisë Demokratike të Kosovës 3, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu 3, ndërkaq ndaj Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re nga një gjobë.

Por, jo të gjitha partitë i kanë paguar gjobat e shqiptuara nga Komuna e Prishtinës.

Drejtori i Inspeksionit të Prishtinës, Adonis Tahiri, ka deklaruar për Gazetën Express se partitë që i kanë mbetur borxh Komunës janë LDK, AAK dhe NISMA.

“LVV i ka pasur 7 gjoba, PDK 3, AKR 1. Këto parti i kanë paguar. Gjobat kanë qenë nga 2000 euro, por sipas Ligjit për kundërvajtje nëse paguhen brenda dy javëve paguhet vetëm gjysma”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkaq LDK, AAK dhe NISMA nuk i kanë paguar gjobat e fushatës. E për këtë, do të përballen me përmbaruesin.

“Partitë që ende nuk i kanë paguar gjobat janë: LDK e cila i ka 5 sosh, AAK 3 dhe NISMA 1. Këto që nuk i kanë paguar janë dërguar në zyrë Ligjore për t’u proceduar për përmbarim. Rrjedhimisht këto gjoba inkasohen të plota, përfshirë edhe shtesën e përmbarimit”, ka deklaruar kreu i Inspeksionit të Prishtinës.

Kështu, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka borxh Komunës së Prishtinës 10 mijë euro borxh, Alëanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 mijë euro, ndërkaq NSIMA Socialdemokrate 2 mijë euro.

E Komuna e Prishtinës kishte paralajmëruar qysh para nisjes së fushatës se do të shqiptonte gjoba ndaj te gjitha partitë politike që do t’i shkelnin masat anti-Covid gjatë fushatës elektorale.

Më 10 janar, kreu i Inspeksionit kishte shkruar në Facebook se do të dënoheshin të gjitha partitë të cilat nuk do ta respektonin Ligjin të cilin e kishin votuar vetë në Kuvendin e Kosovës.

“Dëno qytetarë për mosmbajtje të maskës në rrugë; dëno lokale për distancë të vogël të tavolinave; dëno e bllombo biznese që qëndrojnë hapur pas orës 20:00; maltreto qytetarët me orë policore – e vet organizo tubime zgjedhore me plot njerëz (me e pa maska) si sardina, është hipokrizi! Përderisa ligji dhe masat janë në fuqi, Inspekcioni i Prishtinës do t’iu shqiptojë gjoba prej 2,000 eurosh secilit subjekt politik, për secilin tubim në Prishtinë. Nuk do të lejojmë që inspektorët dhe Policia të sfidohen në këtë formë nga subjektet politike”, kishte shkruar Tahiri.

Një ditë pas këtij paralajmërimi, kishte filluar shqiptimi i gjobave për partitë që s’po i respektonin masat anti-Covid.

Shqiptimi i gjobave ndaj partive politike nga Inspeksioni i Prishtinës kishte vazhduar deri më 12 shkurt, në natën e fundit kur partitë politike po mbanin fushatën përmbyllëse për zgjedhjet e 14 shkurtit.