Inkuadrimit të SHBA-së në bisedime i duhet edhe pëlqimi i Serbisë, thonë burime të BE-së
Varet nga dy vendet, Kosova dhe Serbia, nëse duan që SHBA-ja, apo ndonjë shtet tjetër, të bashkohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Lajme
Kështu kanë thënë burime nga BE-ja për dtt-net.com në lidhje me kërkesën e Kosovës ndaj Washingtonit dje për një “prezencë të përhershme aktive” në tavolinën e negociatave në Bruksel.
Skënder Hyseni, i cili është Koordinator shtetëror për bisedimet me Serbinë, dje u takua në Washington me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Matthew Palmer, dhe kërkoi prezencë të rregullt të zyrtarëve të SHBA-së në bisedimet mes dy vendeve.
“Roli i SHBA-së në këtë proces është i pazëvendësueshëm dhe i kërkova zotëri Palmerit për prezencë të përhershme aktive të SHBA-së në tavolinën e bisedimeve në Bruksel”, tha dje Hyseni.
Por, sipas burimeve nga BE-ja, kjo varet edhe nga Serbia, e jo vetëm nga Kosova.
“Varet nga dy palët, Beogradi e Prishtina, nëse SHBA-ja apo ndonjë vend tjetër do t’i bashkëngjitej dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ky burim për dtt-net.com, transmeton Zeri.info.
Serbiaka thënë në të kaluarën se nëse SHBA-ja do të kishte rol direkt në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja, atëherë Beogradi do të kërkonte edhe pjesëmarrjen e Rusisë.
I pyetur për rolin eventual të SHBA-së në bisedime, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për dtt-net.com se Brukseli mirëpret “të gjitha iniciativat mbështetëse” për dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Rruga drejt BE-së për Kosovën (e edhe për Serbinë) shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. BE-ja si lehtësues i dialogut punon nga viti 2011 me Beogradin dhe Prishtinën drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të raporteve të tyre. Kur flasim për përfshirjen e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për t’u pajtuar në normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre, ne i mirëpresim të gjitha iniciativat që mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Për BE-në, SHBA-ja është një partner i rëndësishëm. I ndajmë të njëjtat synime në rajon dhe mbështetja e SHBA-së që i jep dialogut të lehtësuar nga BE-ja është i mirëseardhur”, ka thënë Stano.