Indonezia s’ka mëshirë për trafikantët, Australia tërheq ambasadorin e saj

Australia ka tërhequr ambasadorin e saj nga Indonezia, menjëherë pasi dy shtetas australianë ta akuzuar për kontrabandë me drogë, u ekzekutuan mbrëmë pas mesnatës.

Bota

29/04/2015 13:11

Andrew Chan dhe Myuran Sukumaran, ishin në mesin e tetë personave të tjerë, shumica shtetas të huaj, të ekzekutuar me pushkatim në burgun-ishull të Nusakambangan.

Andrew Chan, njëri nga shtetasit australian, që u pushkatua
Andrew Chan, njëri nga shtetasit australian, që u pushkatua

 

Brazili gjithashtu shprehu “keqardhje të thellë” për ekzekutimet e mbrëmshme në Indonezi, pasi njëri prej të ekzekutuarve ishte shtetasi brazilian, Rodrigo Gularte.

Por ekzekutimi i një gruaje filipinase u anulua në minutën e fundit. Mary Jane Fiesta Veloso u kursye përkohësisht, pasi qeveria e Filipineve iu bëri thirrje autoriteteve indoneziane të mos e kryej këtë veprim, duke premtuar se ka dëshmi se ishte e shantazhuar, dhe se gruaja përgjegjëse për drogën që iu gjet asaj, ishte dorëzuar te autoritetet filipinase.

Filipinasja Mary Jane Fiesta Veloso, u kursye përkohësisht
Filipinasja Mary Jane Fiesta Veloso, u kursye përkohësisht

 

Australia ka bërë fushatë të gjatë diplomatike për të ruajtur jetët e Chan dhe Sukumaran, të dënuar në vitin 2006 si udhëheqës të një rrjeti të trafikantëve të heroinës, të njohur si “Bali Nine”.

Kryeministri australian, Tony Abbott, tha se ekzekutimet ishin veprime mizore dhe të panevojshme, pasi sipas tij, Chan dhe Sukumaran ishin rehabilituar plotësisht derisa qëndruan në burg.

“Ne e respektojmë sovranitetin e Indonezisë, por ne e dënojmë atë që është bërë dhe kjo nuk mund të jetë thjesht një biznes i zakonshëm”, ka thënë Abbott, duke bërë të ditur tërheqjen e ambasadorit australian nga Xhakarta.

Kjo është hera e parë që Australia ka tërhequr një ambasador nga Indonezia, dhe është hera e parë që autoritetet indoneziane ekzekutojnë shtetas australian.

Prokurori i Përgjithshëm i Indonezisë, Muhamed Prasetyo, mbrojti vendimin për ekzekutim, duke thënë se vendi i tij ishte duke luftuar krimin e organizuar.

Tony Abbot, kryeministër i Australisë
Tony Abbot, kryeministër i Australisë

 

Qeveria e Brazilit e ka tërhequr ambasadorin e saj qysh në muajin janar, pas edhe atëherë ishte ekzekutuar një shtetas brazilian. Kësaj radhe, qeveria braziliane, e quajti ekzekutimin e shtetasit të saj si një ngjarje e rëndë për marrëdhëniet mes dy vendeve.

I ekzekutuari i mbrëmshëm brazilian ishte i sëmurë nga skizofrenia, por lutjet e braziliane, Dilma Rousseff, për ta falur, nuk kishin “pirë ujë” tek autoritetet në Xhakarta.

Indonezia është një ndër vendet që ka ligjet më të ashpra kundër trafikantëve të lëndëve narkotike, dhe që prej vitit 2013 i dha fund një moratorium katërvjeçar mbi ekzekutimet.

Këto ligje aplikohen sepse sipas autoriteteve indoneziane, vendi ka probleme të mëdha nga përdorimi i drogës. Sipas Agjencisë Kombëtare të Narkotikëve të Indonezisë, 33 indonezianë vdesin çdo ditë si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike.

Joko Widodo, presidenti i Indonezisë, i ka shpallur luftë drogës, duke thënë se do të refuzojë të gjitha aplikacionet për mëshirë nga trafikantët e dënuar të drogës – një qëndrim që mund t’i shkaktojë vendit të tij probleme shumë të mëdha në raportet ndërkombëtare, në radhë të parë me vendin fqinj, Australinë.

Widodo ka refuzuar t’i anuloj ekzekutimet megjithë kundërshtimet në rritje të komunitetit ndërkombëtar, që janë udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Joko Widodo, presidenti i Indonezisë
Joko Widodo, presidenti i Indonezisë