Indinë e djeg vapa. Temperaturat deri në 47 gradë
Me ujë falas dhe bojë që reflekton dritën, India ka mundur ta ulë numrin drastik të vdekjeve nga i nxehti.
Bota
Që prej vitit 1992, rreth 25 000 indianë llogaritet që të kenë vdekur prej valëve të mëdha të të nxehtit. Por, këto dy vitet e fundit numri i njerëzve që kanë ndërruar jetë për shkak të sëmundjeve të lidhura me vapën e skajshme, ka rënë ndjeshëm, nga 2 040 që ishin përpara tre vjetësh, kur nisën të shkrijnë edhe rrugët, në pak më shumë se 200 vdekje të regjistruara vitin e kaluar.
Për autoritetet e shëndetit publik, ky është një triumf i mendimit praktik. Një kombinim i fushatave të ndërgjegjësimit me trajnimin e personelit mjekësor si dhe ndryshime të tjera të thjeshta të politikave si lënia hapur e portës së kopshteve publike gjatë ditës, ka shmangur mijëra vdekje me pak kosto.
Në periudhat e nxehta, ditët e shkollës janë reduktuar, në rrugët më të frekuentuara shpërndahet ujë falas, ndërsa çatitë e banesave në lagjet e varfra janë lyer me bojë të bardhë që kthen dritën, duke bërë që temperatura brenda në shtëpi të ulet deri me 5 gradë.
Mjekët po kështu nuk marrin pushime në ditët përvëluese, atyre u duhet të kontrollojnë termometrin e të sigurohen që në momentet e vështira, spitali do të ketë staf mjaftueshëm.