Incident diplomatik, protestuesit sulmojnë ambasadën e Malit të Zi
Në protestën e sotme të organizuar nga partitë opozitare me në krye Lëvizjen Vetëvendosje, është shënuar edhe një incident diplomatik, pasi protestuesit kanë sulmuar edhe ambasadën e Malit të Zi.

Lajme
Ambasada e shtetit fqinj që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ajo e Malit të Zi, e cila ndodhet në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, është sulmuar me gurë, gjatë protestës së sotme të organizuar nga partitë opozitare, bëjnë të ditur burime të lajmi.net.
Pas kësaj, burime të lajmi.net, kanë thënë se policia e ka vizituar ambasadën në fjalë, me njësitin e saj të forenzikës.
Ky sulm mund të dëmtojë shtetin e Kosovës, pasi secili shtet është i obliguar që të sigurojë mbrojtje për personelin dhe ndërtesat diplomatike.
Duhet kujtuar, se Lëvizja Vetëvendosje, ishte shprehur edhe kundër vizitës së zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, në Mal të Zi.
Edhe në vitin 2013, lëvizja e Albin Kurtit, kishte tentuar që të ndërpresë forumin e miqësisë Kosovoë-Mali i Zi, që ishte mbajtur në hotelin Emerald. (lajmi.net)