Inaugurohet objekti i ri i Spitalit Amerikan, ofron të gjitha shërbimet shëndetësore (Video)

Spitali Amerikan bëri inaugurimin e objektit të ri në Prishtinë. Ky projekt ka arritur një vlerë totale të investimit prej 20 milionë euro, derisa janë punësuar 330 punonjës, nga të cilët 314 janë qytetarë të Kosovës, 9 nga Shqipëria dhe 7 nga vendet e tjera.

Lajme

23/10/2015 14:33

Spitali i sapo inauguruar ofron të gjitha shërbimet shëndetësore gjatë 24 orëve, duke përfshirë kardiokirurgjinë, kardiologjinë, gjinekologjinë e shërbime të tjera, raporton lajmi.net.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë drejtori i bordit të spitalit Ronald Drake, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Ambasadori amerikan Delawie tha se kjo ndërtesë është një hap i madh për ofrimin e shërbimeve kualitative shëndetësore në sektorin privat në Kosovë.

Kjo sipas tij i mbështet përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar qasjen e popullatës në shërbimet shëndetesore kualitative dhe rezultate më të mira, ndërsa shtoi se ky është një investim amerikan shumë i suksesshëm.

Drejtori i këtij spitali Rolad Drake theksoi se ceremonia e sotme shënon një ngjajre të rëndësishme për spitalin amerikan. “Ky spital përmbush qëllimin e stafit tonë për të ofruar shërbime shëndetësore të standardit të lartë”, pranoi Drake.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani hapjen e këtij spitali të ri amerikan e quajti si një rrugë të suksesit, pasi me këtë, siç thotë ai, Kosova ka avancuar shumë në krijimin e bazës ligjore duke mundësuar kështu mundësi të reja për marrjen e shërbimeve për qytetarët e vet.

“Kjo është një ceremoni e rëndësishme, pasi kjo ditë është një rrugë e suksesit. Kosova ka avancuar shumë në krijimin e bazës ligjore e cila mundëson veprimtarinë edhe publike edhe private. Mbi të gjitha mundëson që të hapen rrugë të reja dhe mundësi të reja për marrjen e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vet”, shtoi ministri Rrahmani.

Ndryshe, objekti i ri i Spitalit Amerikan, i vendosur në një sipërfaqe prej 10.000 mijë metra katrorë në hyrje të Prishtinës, është në përputhje me planifikimin rajonal dhe shumë lehtë i aksesueshëm.

Pavioni i shtrimit me 70 shtretër, secili shtrat i pajisur me monitor dhe me aksesorët e nevojshëm.

Pesë Salla Operacioni të pajisura me teknologjinë më të fundit dhe aparaturat më bashkëkohore, ku çdo kirurg do të dëshirojë të punojë, një sallë lindje normale, dy Reanimacione me 14 shtretër reanimimi, Qendrën e Kardiologji- Kardiokirurgjisë të projektuar enkas për pacientët me probleme kardiake e pajisur me koronarografi.

Spitali Amerikan - shiriti Spitali Amerikan Spitali Amerikan1 Spitali Amerikan2 Spitali Amerikan3 Spitali Amerikan4 Spitali Amerikan5 Spitali Amerikan6 Spitali Amerikan7 Spitali Amerikan8

Imazheria e avancuar me pajisjet më të avancuara mjekësore do të jenë në shërbim të pacientëve. Për herë të parë në Kosovë, Rezonancë Magnetike, MRI I Class-Avanto 1.5 Tesla, CT Skaner 64 detektorë.

Vlera e këtij investimi arrin në shifrat e 25 milionë euro dhe do të punësohen deri në 500 persona. Spitali Amerikan do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve, duke ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme dhe zgjidhje të problemeve të tyre shëndetësore, pa pasur nevojë të shkojnë në vende të tjera./lajmi.net.

YouTube player