Imer Mushkolaj: Seanca e orës 22:00 është teatër politik – Poshtërsia ka emër

Analisti politik Imer Mushkolaj ka reaguar ashpër ndaj lëvizjes së Vetëvendosjes për thirrjen e seancës së Kuvendit në orën 22:00, e cila pritet të jetë përpjekja e fundit për konstituimin e tij para pauzës kushtetuese të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mushkolaj e ka quajtur këtë veprim të VV-së një…

Lajme

26/07/2025 17:09

Analisti politik Imer Mushkolaj ka reaguar ashpër ndaj lëvizjes së Vetëvendosjes për thirrjen e seancës së Kuvendit në orën 22:00, e cila pritet të jetë përpjekja e fundit për konstituimin e tij para pauzës kushtetuese të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mushkolaj e ka quajtur këtë veprim të VV-së një tentativë për të krijuar një përshtypje të rreme për opinionin publik.

“VV ka caktu seancë për orën 10 të mbramjes veç me e kriju përshtypjen që po bon çmos, deri në momentin e fundit, me e konstituu Kuvendin,” ka shkruar ai.

Sipas Mushkolajt, kjo është pjesë e një loje politike që po zvarritet prej më shumë se tre muajsh, ku Vetëvendosje, sipas tij, ka refuzuar çdo alternativë tjetër përveç Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

“Ndërkohë, qe tre muj e gjysë ka bo hajgare me nji popull, tu e imponu Albulena Haxhiun si të vetmin opcion. Poshtërsia ka emër!”, përfundon postimi i tij.

Seanca e orës 22:00 pritet të përcaktojë fatin e konstituimit të institucioneve, ndërkohë që vendi rrezikon të hyjë në një bllokadë edhe më të thellë politike.