Imazhet e para brenda “Anija në flakë” (Video)

Vazhdon të nxjerrë ende tym trageti ‘Norman Atlantic’. Imazhet brenda anijes së ankoruar në portin e Brindisit dëshmojnë sesi koha ndaloi për 478 personat në bord në çastin që flakët pushtuan mjetin lundrues.

Lajme

05/01/2015 13:56

Sajti brindisioggi.it tregon me këto pamje kaosin që ka mbizotëruar në kuvertën e anijes. Xhupa, shapka, batanije, kuti dhuratash të hedhura gjithandej.

Pas kërkimeve që po zhvillohen ende nuk janë gjetur viktima të tjera brenda ndaj numri i të vdekurve nga tragjedia shënon 11.

Megjithatë temperaturat e larta në brendësi të tragetit nuk lejojnë kërkimet intensive ndaj pritet që ndërhyrja të kryhet kur tymi dhe flakët të jenë fikur tërësisht. Po kështu mësohet se reliket e tragetit nga Brindisi do të transportohen në Bari. 

Trageti Norman Atlantic, tashmë i sekuestruar, i rimorkiuar nga “Marietta Barretta” dhe shoqëruar nga dy rimorkiatorë të tjerë, ka hyrë në portin e jashtëm të Brindisit. Hetuesit kanë gjetur më pas kutinë e zezë, provën e parë për të arritur në zbulimin e shkakut të zjarrit dhe dinamikën e ngjarjeve.

“Kutia e zezë,- shpjegoi zëvendës prokurori i Barit, Ettore Cardinali,- do të analizohet në Bari me një vlerësim të veçantë teknik në ditët e ardhshme. Tani ne kemi bërë një kqyrje paraprake për të kontrolluar të gjitha mundësitë e hyrjeve në anije, si nga ana e sipërme ashtu edhe nga brenda. Ndërkohë gjyqtari nuk përjashton praninë e trupave të viktimave në anije: “Në këtë moment në pjesën e brendshme të Norman Atlantic, nuk është e mundur, për arsye sigurie, të hyjnë dhe të verifikojnë praninë e mundshme të trupave të tjerë, që nuk e përjashtoj se mund të ketë”.

Të zhdukurit janë 10-15. Ky është parashikimi më optimist mbi numrin e të zhdukurve që fillimisht u tha se ishin mbi 30. Konfirmimi vjen nga Prokurori i Barit, Giuseppe Volpe, sipas të cilit numri nuk i kalon 10-15 persona. Ndërsa Gjykatësi i çështjes, nënvizon se “shifrat zyrtare mund të mësohen kur Greqia të vendosë të japë një listë të besueshme të imbarkimit, sepse Athina ka shumë shumë kohë”.