Ilire Vinca ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit
Aktorja kosovare ka marrë një ftesë të veçantë.

ShowBiz
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se Ilire Vinca është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit, shkruan lajmi.net.
Ilirja ishte aktorja e parë shqiptare që mori pjesë në Berlinale me filmin “Falja e Gjakut” më 2011 dhe përsëri ishte pjesëmarrëse në vitin 2015.
QKK bën të ditur se Vinca është anëtarja e 25-të nga Kosova që bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.
Ilire Vinca ka një karierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës.
‘Zana, ‘Pranverë e paharruar në fshatin e harruar’, ‘Gardhi’, dhe ‘Martesa’ janë disa nga filmat e fundit kosovar ku luan Ilirja.
“Përderisa kufinjtë na ndajnë, arti na bashkon pa dallim race e gjinie, ashtu siç janë ndjenjat dhe e vërteta. Jam e nderuar të jem anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit” u shpreh aktorja kosovare Ilire Vinca.
Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themelues si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj. /Lajmi.net/