Ilir Tasholli ia sheh “hajrin” kalimit në VV dhe shoqërisë me deputetët Qeriqi dhe Rrustemi – bëhet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë

Ilir Tasholli është përzgjedhur në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, duke dalë i pari në konkursin për këtë pozitë me 77.6 pikë. Emërimi i tij vjen rreth një vit pasi iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, pas një tjetër lëvizjeje në karrierën e tij politike. Tasholli më herët ishte deputet i LDK-së, ndërsa…

Lajme

29/09/2026 13:21

Ilir Tasholli është përzgjedhur në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, duke dalë i pari në konkursin për këtë pozitë me 77.6 pikë.

Emërimi i tij vjen rreth një vit pasi iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, pas një tjetër lëvizjeje në karrierën e tij politike. Tasholli më herët ishte deputet i LDK-së, ndërsa në vitin 2023 kaloi në AAK dhe u kandidua për kryetar të Lipjanit. Megjithatë, gjatë procesit zgjedhor ai u largua nga kjo parti dhe iu bashkua VV-së, transmeton lajmi.net.

Tasholli është pjesë e strukturave të Vetëvendosjes në Lipjan dhe njihet për shoqërinë e afërt me deputetët e kësaj partie, Ilir Qeriqin dhe Adnan Rrustemin.

Rrustemi, një prej figurave kryesore të VV-së në Lipjan dhe kryetar i degës së kësaj partie në këtë komunë, ka qenë pjesë e strukturës politike ku vepron edhe Tasholli. Ndërkaq, Qeriqi dhe Tasholli kanë ruajtur prej vitesh raporte të afërta shoqërore e politike.

Përzgjedhja e Tashollit në pozitën e lartë në Ministrinë e Shëndetësisë është bërë pas konkursit publik, ku ai ka marrë 77.6 pikë. Në vendin e dytë është renditur Lulzim Ejupi me 71 pikë.

Tasholli ka qenë pjesë e skenës politike kosovare për disa vite, duke kaluar në tri subjekte politike gjatë periudhës së fundit./Lajmi.net/