Behrami: Pse po vonohet ndryshimi i Ligjit për Specialen? Qeveria ta sjellë urgjentisht në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka ngritur pikëpyetje lidhur me mungesën e reagimeve nga shtetet perëndimore për nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Behrami ka shprehur habinë e tij për atë që e konsideron si mungesë shqetësimi nga shtetet perëndimore, duke ngritur…

Lajme

29/09/2026 13:49

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka ngritur pikëpyetje lidhur me mungesën e reagimeve nga shtetet perëndimore për nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Behrami ka shprehur habinë e tij për atë që e konsideron si mungesë shqetësimi nga shtetet perëndimore, duke ngritur pyetje nëse dikush mund të ketë dhënë garanci se nisma për ndryshimin e ligjit nuk do të realizohet.

“Është e çuditshme se si shtetet perëndimore fare nuk janë të shqetësuara me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. A thua pse? A ju ka premtuar dikush se kjo punë nuk do të bëhet?”, ka shkruar Behrami.

Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për vonesat në procedimin e kësaj nisme, duke kërkuar të dihet se cilat janë arsyet që po e pengojnë avancimin e saj.

“Pse po ndodhin vonesat?”, ka pyetur ai.

Behrami ka shkuar më tej duke thënë se, nëse dikush i ka premtuar Dhomave të Specializuara se ndryshimi i ligjit nuk do të bëhet, një veprim i tillë, sipas tij, do të gjykohet nga historia.

“Kushdo që i ka premtuar Gjykatës Speciale se kjo punë nuk bëhet, historia do ta dënojë”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

Behrami ka kërkuar nga Qeveria që të procedojë pa vonesa projektligjin në Kuvend.

“Qeveria, urgjentisht, duhet ta sjellë Ligjin në Kuvend!”, ka shtuar ai./Lajmi.net/