Ilir Meta premton projekte bashkëpunimi me Gjakovën dhe Kosovën

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka pritur kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, me ç’rast është rënë dakord për një bashkëpunim më të madh dhe më të frytshëm në të ardhmen.

Lajme

05/04/2014 18:24

Në këtë takim është biseduar për projektet e bashkëpunim ndërmjet Gjakovës, por edhe të komunave të Kosovës perëndimore në përgjithësi, me komunat dhe bashkitë e zonës verilindore të Shqipërisë, në suaza të bashkëpunimit ndërkufitar.

Theks të veçantë nga ana e kryetares s Gjakovës ka qenë bashkëpunimi i mundshëm, i lirshëm dhe pa barriera, si një bashkëpunim i frytshëm, ku mund të arrihen objektivat shumëvjeçare të pritura.

Kusari-Lila ka vënë në pah edhe Projektin e Alpeve, si dhe bashkëpunimin e mundshëm në lëmin e bujqësisë, turizmit dhe të shfrytëzimit të resurseve tjera në zhvillimin ekonomik.

“Me z. Meta biseduam në hollësi për mundësitë e bashkëpunimit në veçanti, mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në fushën e turizmit, por gjithashtu edhe për aktivitetet konkrete të ditëve në vijim, duke filluar nga takimi i përbashkët që do ta kemi me kryetarët e komunave të Kosovës Perëndimore, për projektin e Alpeve Shqiptare, për mundësitë e bashkëpunimit në fushën ekonomike, një vizitë të organizuar nga Republika e Shqipërisë në komunën e Gjakovës”, ka thënë Kusari-Lila

Kryeparlamentari shqiptar, Meta ka premtuar se do të jetësohen shumë projekte bashkëpunimi me Gjakovën.  Ai ka thënë se me krijimin e zonës së lirë ekonomike në Gjakovë shtohet edhe interesimi i investitorëve vendorë e të huaj.

“Administrimi i komunës së Gjakovës do të jetë një shembull shumë i mirë jo vetëm për Kosovë, por edhe kudo në gjithë hapësirat tona dhe ne do të jemi këtu gjithnjë më shpesh e jo thjesht për takime kurtuazie, jo por për të shkëmbyer mendime, por për të çuar përpara projekte konkrete, siç u përmend këtu, projekti Alpet, që tashmë është konfiguruar si një projekt mjaft konkret dhe me impakt për zhvillimin e turizmit. Njëkohësisht, ne kemi rënë dakord që të themelojmë bashkëpunimin edhe në fushën e bujqësisë dhe shumë shpejt ministri shqiptar i Bujqësisë do të jetë në Gjakovë”, ka thënë Meta.

 (KosovaPress)